Transmetuar më 24-02-2017, 10:47

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, flet një ditë pas deklaratave të rënda nga kreu i Anti-mafies italiane, sipas të cilit shifrat e trafikut të drogës ishin trefishuar gjatë viteve të fundit, ka premtuar një luftë të ashpër ndaj fenomenit.

Në një deklaratë për media Tahiri tha se është në dijeni të shifrave dhe se policia po sulmohet ngaqë po lufton çdo ditë këtë fenomen. Duke shtuar se ky është vit deciziv për t’i dhënë fund një herë e mirë fenomenit të kanabisit në vendin tonë.

“Sot po sulmohet policia për kanabisin, për shkak se po lufton çdo ditë me këtë fenomen. Në krahasim me kohën e Partisë Demokratike, shifrat as mund të krahason. Këtë vit i japim fund këtij fenomeni!”, është zotimi që ministri i Brendshëm bëri sot.

Tahiri tha se “duhet të merremi me këtë çështje për t’i dhënë një zgjidhje definitive. Nevoja është që të bëjmë më shumë, por, që kur kemi marrë detyrën, një pjesë themelore e asaj që kemi bërë është lufta kundër kanabisit”.

Kurse shtoi: “Para se ta merrnim detyrën, as nuk flitej për luftë kundër kanabisit. Pavarësisht se ishte evidente situata skandaloze me kultivimin e kanabisit, askush nuk merrej me këtë”.

Më tej z.Tahiri përforcoi premtimin e tij: “Trashëguam një problem me kanabisin dhe po merremi për ta zgjidhur. Kjo është shenja më e fortë e vendosmërisë sonë për një luftë kundër këtij fenomeni. Ky është vit deciziv për t’i dhënë fund një herë e mirë këtij fenomeni. E nisëm me Lazaratin dhe të njëjtën gjë do të bëjmë me çdo cep të Shqipërisë”. /noa.al/