Transmetuar më 24-02-2017, 10:08

Me mijëra bimë kanabisi janë gjetur nga policia britanike në një bunker nëntokësor bërthamor, të ndërtuar në vitet 1980, në Wiltshire, në perëndim të Anglisë.

 Vlera e këtyre bimëve shkon deri në  1 milion sterlina. Mediet vendase raportojnë se bunkeri ishte ndërtuar për të strehuar zyrtarë, qeveritarë dhe personalitete politike në rast të ndonjë sulmi bërthamor.

 Padyshim zbulimi më i fundit i policisë britanike, në një bunker bërthamor të papërdorur, ku kultivohej kanabisi, “është më i madhi dhe më i sofistikuari”, sipas detektivëve britanikë.

 Sipas krye-detektivit Paul Franklin, “ ka afro 20 dhoma në ndërtesë, nëpër dy kate të bunkerit, që janë gjetur bimët e kanabisit të rritur artificialisht”.

Edhe pse nuk ishte më objekt i Ministrisë britanike të Mbrojtjes, interesant është fakti se dyert e bunkerit bërthamor ishin të padëmtuara dhe janë hapur me çelësat që policia u ka kapur të arrestuarve.

Deri më tani, policia  ka arrestuar gjashtë persona, tre brenda ambienteve të bunkerit dhe tre jashtë, që mendohet së ishin rojet dhe kultivuesit, të cilët u paditën për kultivim të lëndëve narkotike dhe trafikim të qenieve njerëzore./noa.al