Transmetuar më 23-02-2017, 21:48

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha të enjten se ka vetëm dy rrugë për qeverinë Rama, ose të largohet me dialog politik ose të rrëzohet. 

"Dy rrugë ka, ose të largohet me dialog politik, ose do të rrëzohet nga qytetarët e bashkuar", tha Basha, duke shtuar se ftesa e tij për t’i dhënë fund maskaradës së zgjedhjeve të blera është ndaj çdo force politike dhe veçanërisht ndaj partive që janë sot në qeverisje.

“Unë do të qëndroj këtu deri në fitoren e kauzës, zgjedhje të lira dhe të ndershme, largimi i kësaj qeverie dhe garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, tha Basha.

Më tej kreu i opozitës deklaroi se ata nuk janë në shesh për të risjellë në pushtet ata që ikën me votë të lirë në vitin 2013.

"Kjo nuk është një lëvizje për të sjellë në pushtet ata që u larguan me votë të lirë në vitin 2013", tha Basha, duke premtuar jo thjeshtë një rotacion politik por ndryshim kastash.

Më tej Kryetari i Partisë Demokratike ka dërguar një mesazh për kryetarin e Kuvendit Ilir Meta në lidhje me protestën e opozitës në bulevard.

I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu në emisionin “Opinion” se çfarë mesazhi ka për Metën, Basha tha se është i njëjti mesazh dhe për Kryeministrin Edi Rama: “Të reflektojë, të dëgjojë zërin e qytetarëve dhe t’i hapin rrugë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”.

Kryedemokrati Basha shtoi gjithashtu se Meta ka njësoj përgjegjësi për Ramën dhe dallimi i vetëm mes tyre është numri i deputetëve që kanë në Parlament.