Transmetuar më 23-02-2017, 20:49

Të paktën 600 vajza shqiptare janë identifikuar në Mbretërinë e Bashkuar si viktima të trafikut të prostitucionit. Janë kryesisht vajza në moshë fare të re, të varfra, nga familje me nivel jo të lartë intelektual, kryesisht nga zonat rurale dhe të paarsimuara në nivelet universitare.

Këto 600 vajza bëjnë pjesë në mesin e 3266 femrave në total që janë regjistruar në Angli si viktima të tregtisë së “mishit të bardhë”, raporton noa.al duke cituar një raport zyrtar të qeverisë britanike.

Gazetarja e BBC, Rita Cakrabati, foli me disa nga femrat shqiptare që kanë bërë prostitutën rrugëve të Londrës dhe qyteteve të tjera britanike.

Ajo shkoi në një qendër ku mblidhen femrat që pikasen të jenë përdorur në rrugë si prostituta dhe foli me disa prej tyre. Gazetarja u shtang kur pa se mes këtyre femrave kishte edhe disa vajza të mitura.

Sia (emri nuk jepet i saktë për shkak të etikës) është vetëm 14 vjeçe. Ajo tregon se e braktisi vetë shtëpinë pasi atje përballej me dhunë në familje. Pa e kuptuar as vetë u fut në një rrjet trafiku femrash pas njohjes me një mashkull i cili medemek do të ishte i dashuri i saj.

Por vajza e mitur shqiptare nuk mori dashuri. Ajo veçse u përdhunua, sërish e sërish, përditë nga një tufë me meshkuj.

Një shfrytëzim që zgjati shumë muaj.

Tani që gjendet tek qendra në mbrojtje të tyre, ajo është shumë e zhgënjyer nga meshkut: “I urrej ata”, - thotë ajo. Kurse kërkon: “Dua që të gjithë ata që më bënë keq të dënohen ashtu siç e meritojnë. Më vodhën jetën, më vodhën lirinë. Më shfrytëzuan në mënyrë të pashpirt”, - rrëfen ajo.

Historia e Sia-s nuk është e vetmja edhe pse Shqipëria është një vend shumë i vogël për të pasur kaq shumë plagë sociale.

Ana është një tjetër vajzë shqiptare, 20 vjeçe. Ajo iku nga fshati për në qytet dhe përfundoi në rrugët e errëta të Londrës. I mori mendtë një djalë që i premtoi “Hënën” dhe ajo e besoi. Pa e ditur se pas mbërritjes në Angli do të përfundonte si shuajtës epshesh për burra që paguajnë.

Ana tregon se kur erdhi në Angli përfundoi menjëherë në një qilar. “Ishte errësirë. Nuk po kuptoja ku ndodhesha. Nuk shihja dot asnjë dritare. Më mbajtën me sytë mbyllur”, - rrëfen ajo.

Edhe pse 20 vjeçe, Ana nuk kishte pasur kurrë më parë kontakte seksuale. E kujton këtë fakt dhe qan gjatë gjithë intervistës më gazetaren britanike të BBC.

“Aty ku më mbanin, sillnin meshkuj të ndryshëm. Ishin shumë, çdo ditë. Më përdhunonin sërish e sërish. Më bënin gjëra nga më të ndryshmet, gjëra që kurrë nuk e mendoja se mund të bëheshin e mund të më ndodhnin mua”, - vijon rrëfimin tronditës vajza 20-vjeçare nga Shqipëria që pas disa muajsh e shfrytëzuar, gjendet në një strehë për femrat e abuzuara seksualisht.

Vajza tregon se ka mbetur shtatzënë duke sjellë në jetë një vajzë. Pohon se është e vetmja gjë e mirë që i ka ardhur në jetë. /noa.al/