Transmetuar më 23-02-2017, 18:31

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla ka reaguar pas akuzave të kreut të Partisë Demokratike, i cili tha se është bërë me ‘vilë shumëmilionëshe’. Ajo thotë se zgjidhja për të gjitha këto akuza është një dhe fton kreun e opozitës që t’i bashkohet kësaj zgjidhjeje.

“Lulzim Basha, je një nxënës shumë i dobët i mësuesit tënd! Por meqë për fatin e keq të opozitës je drejtuesi i saj, më duhet të të përgjigjem për akuzën e ulët ndaj meje. Lëri deputetët e tu të vinë javën e ardhshme të votojnë bashkë me ne vettingun në parlament dhe pastaj e vendos drejtësia e pastruar nga të korruptuarit, sesa milionë euro është shtëpia ime dhe sesa mijëlekëshe është pasuria jote!”, shkruan në reagimin e saj në Facebook ministrja Nikolla.

Më tej ajo shton se “Por ti je fshehur në çadër bashkë me gjithë deputetët e tu, pikërisht sepse në vend të vettingut, preferon baltën ku e zhyti Shqipërinë qeveria e partisë tënde! Hapi rrugë vettingut dhe mos thirr si një hileqar i dëshpëruar njerëzit në rrugën tënde, për të bllokuar vettingun, drejtësinë”.