Transmetuar më 23-02-2017, 17:32

Një person ka hipur në majë të një vinçi të një pallati në ndërtim, pranë Kishës Ortodokse në kryeqytet, dhe kërcënon se do të hidhet nga kjo lartësi.

Sipas burimeve policore mësohet se personi që kërcënon me hedhje është një ish i persekutuar politik i identifikuar si Xhemal Zhuri 61 vjeç, i cili kërkon të marrë edhe dëmshpërblimin për këstin e gjashtë për vitet e burgut.  

Mësohet se për këtë ish të përndjekur nuk është hera e parë që tenton të vetëhidhet, pasi një akt të tillë e ka ndërmarrë edhe dy herë të tjera, në shkurt të vitit 2012 dhe në vitin 2015.

Zhuri ankohej se nuk kishte marrë këstet e dëmshpërblimit për vitet e kaluara në burgjet e regjimit komunist.

Forca të shumta policie dhe shërbimit zjarrfikës kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po negociojnë me 61 vjeçarin për zbritjen e tij nga vinçi.

Pak kohë më parë po në këtë pallat ende të papërfunduar një tjetër person tentoi të hidhej për motive pronësie./b.l/noa.al/