Transmetuar më 23-02-2017, 13:50

Tiranë, 23 shkurt 2017, NOA.al- Një shtetas maqedonas i shpallur në kërkim ndërkombëtar për mashtrim, është ekstraduar drejt vendit tonë.

Samet Rsimi, 54 vjeç, lindur në Maqedoni u ekstradua nga Sofia, në Bullgari, drejt Shqipërisë.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Tiranës, në 22 nëntor 2016, e ka dënuar me 12 vjet burgim, për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit”.

Samet Rasimi, resident në Danimarkë, pronar i një kompanie me seli në Slloveni, me objekt importimi dhe/ose shit-blerjen e pajisjeve elektronike, kompjuterave, telefonave celulare, fotokopjeve dhe pajisjeve të tjera në fushën e elektronikës në bashkëpunim me kompani të ndryshme të huaja dhe vendase në zbatim të kontratës së nënshkruar me një kompani private në Shqipëri ka përvetësuar nëpërmjet mashtrimit një shumë të konsiderueshme eurosh.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Sofia realizuan arrestimin provizor dhe ekstradimin e tij drejt Shqipërisë./a.y/noa.al