Transmetuar më 22-02-2017, 16:14

“Alo, z.Ministër, jam i dënuari X….”. Telefonatat e të burgosurve prej më shumë se tre javësh janë vënë nën monitorimin e administratës së burgjeve.

Ky vendim është marrë në analizën vjetore të institucionit të burgjeve, pasi ka qenë ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, i cili ka ngritur shqetësimin se në orare të ndryshme ai telefonohej nga të burgosur që i ankoheshin për probleme që kishin në institucione.

Ndaj për t’i dhënë fund njëherë e mirë, situatës jo fort të këndshme, kur kreu i dikasterit të Drejtësisë, shqetësohej orë e pa orë, shpesh pa shkak, madje edhe kur ndodhej në takime zyrtare, Drejtoria e Burgjeve, ka udhëzuar të gjithë shefat e policisë në të 23 institucionet e vuajtjes së dënimit në vend, që të kontrollojnë me rreptësi telefonatat e të dënuarve.

“News24” disponon një e-mail të nisur me datë 27 janar 2017, në adresë të shefave të policisë në burgje, të cilëve u lihet detyrë të udhëzojnë vartësit, që të mbikëqyrin telefonatat e të dënuarve.

“Me urdhër verbal të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, çdo bisedë telefonike, e bërë nga ana e të dënuarve, do të mbikëqyret me rreptësi nga ana e një punonjësi policie si dhe do t’i kontrollohet paraprakisht numri të cilin do të marrë i dënuari”, thuhet në e-mail.

Shefat e policisë paralajmërohen se do të mbajnë përgjegjësi administrative nëse nuk zbatojnë urdhrin në fjalë. Shumë të dënuar nuk e kanë pritur mirë kërkesën që u është bërë nga punonjësi i policisë në burg, duke e konsideruar shkelje të të drejtave të tyre./b.l/noa.al/