Transmetuar më 21-02-2017, 21:11

Raporteri evropian për Shqipërinë, eurodeputeti Knut Flecktenstein i cili ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare, u takua pasditen e sotme me liderin e së djathtës, Lulzim Basha, z. Flecktenstein.

Para takimit ai tha se PD nuk duhet të bojkotojë Parlamentin, duke sugjeruar që opozita le të vijojë protestën e tij, nëse dëshiron, por jo të bojkotojë Parlamentin.

Po ashtu Knut Fleckenstein tha se të protestosh është normale, të ndryshosh qeverinë po ashtu. Të mos shkosh të punosh nuk është aspak normale”.

Ndërkohë pas takimit, foli vetëm kreu demokrat Basha. Ai tha se “diskutuam për zgjedhjet e lira dhe të ndershme të cilat janë të kërcënuara nga krimi, korrupsioni dhe praktika e shëmtuar e shitblerjes së votës. Zgjedhjet kërcënohen nga mungesa me qëllim e reformës zgjedhore”.

Basha tha se nuk ka asnjë zgjidhje tjetër, përveçse një qeverie teknike që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kurse shpjegoi dhe vendimin e opozitës “për të mos qenë pjesë e një Parlamenti fasadë deri në momentin kur partitë politike në atë Parlament, por edhe partitë politike jashtë atij Parlamenti, të jenë pjesë e një pakti kombëtar për një qeveri teknike të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”.

Por, a do të pranojë PD zgjidhje tjetër përveç qeverisë teknike? Basha është i prerë: “Jo. PD nuk mund të pranojë asnjë fasadë e cila do të sjellë përsëri zgjedhje të manipuluara, zgjedhje të kapura nga krimi. Zgjedhje me kriminelë ne nuk do pranojmë. Ky është një vendim jo thjeshtë i PD, jo thjeshtë i opozitës, është një vendim i madh i qytetarëve, një konsensus që sa vjen edhe rritet, që kalon kufijtë e PD apo të opozitës”.

“Ka dy rrugë: Ose do të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme përmes një qeverie që i garanton ato, ose populli e qytetarët do të vazhdojnë qëndresën derisa kjo të bëhet realitet”, – shtoi z.Basha, duke theksuar “”Zgjedhje nuk do të ketë. PD, opozita nuk do të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve fasadë, nuk do të lejojë zgjedhje me krim, korrupsion dhe drogë. Ky është një vendim i marrë dhe ne kësaj do t’i shkojmë deri në fund”. /noa.al/