Transmetuar më 21-02-2017, 13:25

Një ngjarje e rëndë ka tronditur ditën e djeshme Kosovën. Një burrë 35 vjeç nga Shtërpca e Kosovës ka shkuar deri në marrëzi sa ka vrarë me thikë foshnjën e tij vetëm 40 ditëshe dhe ka plagosur binjakun tjetër.

Koha.net shkruan se autori i dyshuar i ngjarjes makabre, Dejan Kristiçiç, profesor i Edukatës Fizike në Shkollën e Mesme të Shtëpçës, ka pohuar para grupit hetimor të çështjes se i ishin errur sytë dhe nuk e kishte kuptuar se çfarë kishte bërë.

Sipas të dhënave të para me burime në polici, që raportojnë mediat serbe, krimi ka ndodhur mbrëmë, pas një grindjeje midis bashkëshortëve, Dejanit dhe gruas së tij Anës.

"Dejani ka marrë thikën dhe në momentin e tensionit ka qëlluar në gjoks njërin nga binjakët 40 ditësh. Ai ka vdekur rrugës për në Llaple Sellë, përkatësisht Gracçanicë. Pastaj ai është përpjekur të ther edhe fëmijën tjetër, por e ka penguar bashkëshortja, megjithatë ia ka dalë ta plagos në qafë edhe tjetrin", shkruajnë mediat serbe.

Binjaku i dytë i plagosur ka arritur i gjallë në Graçanicë prej nga është transportuar në Nish dhe raportohet se edhe gjendja e tij është e rëndë, por jashtë rrezikut për jetën. Kritiç, është arrestuar menjëherë pas krimit dhe në deklaratat para hetuesve ka thënë se gjithçka ka ardhur pas një grindjeje që ka pasur me bashkëshorten.

Mësohet se ai bashkë me gruan jetonin në banesë edhe me prindërit e Dejanit. Ngjarja ka tronditur fqinjët, të cilët e njihnin si njeri të qetë dhe familjar.