Transmetuar më 21-02-2017, 12:59

Në ditën e katërt të protestës së opozitës, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka kërkuar largimin e kryeministrit Rama dhe krijimin e një qeverie teknike, që sipas tij do t’i hapte rrugën zgjedhjeve të lira e të ndershme.

“Jemi shumë çdo ditë dhe do vazhdojmë të shtohemi gjithnjë e më shumë deri në realizimin e plotë dhe jo të pjesshëm të kushteve tona, deri në largimin e këtij kryeministri të papërgjegjshëm për shqiptarët dhe krijimin e  një qeverie teknike”, tha Basha në çadrën e ngritur nga protestuesit.

Më tej kreu i opozitës deklaroi se ka nga disa prej pakicës absolute, që po dridhen nga përballja e shumicës absolute duke thënë pse të ikë qeveria? Por sipas Bashës kur “çdo institucion ka rënë për shkak të qeverisë, kur Parlamenti ka rënë për shkak të kryeministrit që e ka mbushur me kriminelë, kur bashkitë kanë rënë se e ka mbushur me banditë, kur drejtësia ka rënë se po liron me urdhër të Ramës mafiozët dhe kriminelët e vendit, kur ekonomia ka rënë, kur media ka rënë, kur dihet se kryeministri njihet në gjithë Ballkanin si modeli i korruptimit, a nuk është koha që ta rrëzojmë këtë qeveri?”.

Basha shtoi se së shpejti protesta e opozitës do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë “Ky është vetëm fillimi, kjo protestë do të shtrihet anembanë vendit, deri sa zëri i shqiptarëve për zgjedhje të lira e të ndershme të dëgjohet dhe vullneti i tyre të respektohet”.

Në anën tjetër kryeministri Rama në ceremoninë e promovimit të femrave në polici akuzon organizatorët e protestës së opozitës se qëllimi i tyre është bllokimi i vettingut.

“Qindra krime të rënda janë krime të përsëritura nga kriminelë të arrestuar nga policia dhe të liruar në sallë nga gjyqtarë të korruptuar, për të cilët nga duhet vettingu. Është e vetmja rrugë për të çliruar popullin dhe policinë nga kthetrat e këtyre killerave që sot mbrohen nga bojkoti i parlamentit.

Ata killera të veshur me toga të zeza kanë vite që i bien me çekiç kokës të gjitha nënave që kanë humbur bijtë, të gjitha femrave të dhunuara e me radhë. Respekt të sinqertë për çdo njeri që proteston, por jo për organizatorët e një proteste që bojkotin e parlamentit e ka instrument për të bllokuar vetingun. Le ta provojnë të kundërtën”, tha Rama.