Transmetuar më 21-02-2017, 10:50

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti dje pasdite në një takim zyrtar kryetarin e Kuvendit të Kosovës, z. Kadri Veseli. Veliaj dhe Veseli vlerësuan marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe diskutuan mbi shtimin e bashkëpunimit mes tyre, ndërkohë që kryebashkiaku i Tiranës e nderoi z. Veseli me “Çelësin e Qytetit” për kontributin e dhënë.

Gjatë takimit, Veliaj theksoi se Prishtina dhe Tirana kanë përpara tyre shumë sfida, të cilat arrihen veçse me punë. Duke vlerësuar angazhimin e z. Veseli në drejtimin e Kuvendit të Kosovës, ai tha se: “Jam shumë i lumtur që je në Tiranë dhe dua të ndjehesh si në shtëpitë tënde. Jam i lumtur për të gjithë kontributin tuaj. E di që edhe Tirana, edhe Prishtina, Kosova, Shqipëria, kanë jashtëzakonisht shumë sfida që arrihen veçse me punë. Të falenderoj shumë për inkurajimin dhe e kam ndjekur me shumë admirim mënyrën sesi po udhëhiqni për vendimmarrje të drejta, jo të lehta, por të drejta për Kosovën. Ju uroj shumë sukses”, tha Veliaj.

Nga ana e tij, kryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Veseli e cilësoi punën e realizuar nga kryebashkiaku Veliaj si shembull i përgjegjësisë që duhet të kenë kryetarët ndaj qytetarëve të tyre.

“Për të gjithë shqiptarët Tirana ka sinonimin e strehës në momente edhe më të rënda. Por dua t’ju falenderoj në emër të gjithë qytetarëve të Kosovës për përkrahjen në ditët më të vështira. Natyrisht që, tani vijnë edhe për kënaqësi sepse kanë dëshirë, vijnë me fëmijët, me familjarët dhe do të vijnë çdo herë. Faleminderit për punën e jashtëzakonshme, për punën inkurajuese që duhet të jetë shembulli i përgjegjësisë së kryetarëve ndaj qytetarëve. Vetëm ju inkurajoj që të vazhdosh në këtë drejtim”, tha kryeparlamentari Veseli./b.l/noa.al/