Transmetuar më 21-02-2017, 08:55

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka replikuar sot me deputetin e PS-së, kreun e komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, pas akuzave që lëshoi ai ndaj tij, gjatë intervistës mbrëmë në Top Story.

Sipas Manjanit, Xhafaj ishte dhe është e shkuara. Ai i ka kujtuar socialistit se ai nuk ka ndërmend të konsultohet me të shkruarën e as ti çojë lule despotit të radhës.

“Fatmir Xhafaj ishte dhe është e shkuara! Nuk më ka shkuar kurrë ndërmend të konsultohem me të shkuarën, as ti çoj lule despotit të rradhës!”-shkruan Manjani.

Dje, Fatmir Xhafaj në “Top-Story” ka sulmuar ish-ministrin Manjani për deklaratat e tij se reforma në drejtësi është shkruar keq.

Ai ka thënë se Manjani dhe disa eksponentë të LSI-së flasin sipas orekseve të ditës. Ai madje ka patur kritika edhe për LSI-në në tërësi, e cila sipas tij, për reformën bën deklarata vetëm në TV dhe me shkresa zyrtare, pa u konsultuar më parë.

“Nuk di të më kenë kërkuar ndonjëherë ndonjë sqarim apo asistencë dhe të mos u jem përgjigjur. Unë, me kërkesat e LSI-së jam njohur përmes TV dhe ndonjë shkrese. Brenda koalicionit ata nuk reagojnë”, tha Xhafaj.

Ndërsa lidhur me bojkotin e PD-së në Parlament, Xhafaj nuk e quan rastësi faktin që në momentin e zbatimit të Vettingut, opozita ndërmerr një protestë të shoqëruar me mungesë në punimet e Kuvendit dhe komisionet parlamentare.

“Shpesh më duket si një gjë e përllogaritur, e qëllimshme dhe duhet të mbajmë fort në kujtesë që të gjitha pengesat që i kanë ardhur reformës në drejtësi kanë patur për autore Partinë Demokratike. Ka disa gjëra që të bëjnë të shkosh në përfundimin se kjo është e qëllimshme.

Nuk më duket rastësore që sapo nis Vettingu, sapo janë bërë veprimet e para drejt përzgjedhjes së kandidatëve dhe më pas konstituimit të komisioneve, kemi një protestë të opozitës, e cila nuk është thjeshtë për keqqeverisjen e vendit, por e shoqëruar me bojkot parlamentar, që në thelb do të thotë bojkot kundër aktit më të rëndësishëm parlamentar të këtij sesioni ngritjen komisioneve për Vettingun”, tha ai.