Transmetuar më 20-02-2017, 16:45

Një avion civil me 345 persona në bord humbi kontaktet me kullat e vrojtimit dhe në gjendje alarmi që u lëshua nga autoritetet, dy avionë luftarakë gjermanë u lëshuan drejt tij në përpjekje për të neutralizuar një akt të mundshëm terrorist.

Kjo ndodhi me fluturimin 9W 118 të kompanisë Jet Airways e cila po zhvillonte udhëtimin ajror nga Mumbai e Indisë në Londër të Britanisë së Madhe.

Në avion gjendeshin 330 pasagjerë dhe 15 pjesëtarë të ekuipazhit.

Autoritetet konstatuan se në një moment gjatë udhëtimit shumëorësh, piloti nuk po kontaktonte më me kullën e kontrollit të trafikut ajror të Gjermanisë ndërkohë që ishte duke fluturuar në hapësirën ajrore gjermane.

Një urdhër i shpejtë ngriti në ajër dy avionë luftarakë si një ndërhyrje e shpejtë për të reaguar ndaj ndonjë kërcënimi të mundshëm.

Në video shikoni ndjekjen e paprecedentë që iu bë avionit, ndërsa disa minuta më vonë u arrit të ribëhej lidhja me kullën e kontrollit. /noa.al/