Transmetuar më 20-02-2017, 10:00

Ndërsa sot shënohet dita e tretë e protestës së opozitës e cila vazhdon të qëndrojë në një çadër përpara Kryeministrisë, demokratët bëhen edhe më të vendosur për atë çfarë ata kërkojnë. Këtë e ka theksuar këtë mëngjes edhe deputeti Aldo Bumçi.

Në një prononcim për "News24", Bumçi tha se e vetmja përgjigje që protestuesit dhe opozita presin nga kryeministri Edi Rama, është qeveria teknike për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ai bëri edhe një thirrje për kreun e Kuvendit, ilir Meta dhe çdo faktori parlamentar.

"Ne flasim me protestë. Ajo e ditës së shtunë ishte më e madhja ndonjëherë. Ishte mesazh i dyfishtë. E para protestë, neveri, kundërshti kundër kësaj qeverie. Ata njerëz dolën për t’i thënë kryeministrit "boll". Ata iu përgjigjën thirrjes së PD. Ishte një mesazh shprese. Nga ana tjetër nuk kemi asnjë mesazh. Çfarë shkruan kryeministri në Twitter dhe Facebook nuk është përgjigje. E vetmja përgjigje janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Ndërkombëtarët i kanë dhënë sinjalet. Kanë thënë ‘lufto drogën", 8 ton drogë kaluan para disa ditësh nga porti i Durrësit. Kryeministri nuk ndalet dot nga krimi. Kancelarja Merkel i tha lufto drogën, bëj zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo është një përgjigje që presim nga zoti Rama, tjetër nuk ka. Ne nuk kthehemi mbrapsht, do thërrasim një protestë tjetër deri sa të arrijmë qëllimin tonë”, u shpreh Bumçi.

– Ju i drejtoheni vetëm zotit Rama, por dje ka pasur një deklaratë të ish-kryeministrit Berisha që Meta të vendosë, cili është komenti juaj?

Është logjike që thirrje t’u bëhet të gjithë faktorëve parlamentarë. Thirrja e parë i drejtohet Edi Ramës, ti hapë rrugë qeverisë teknike. Thirrja e dytë për Ilir Metën. I kanë bërë llogaritë gabim. Zgjedhjet e lira janë të paevitueshme. I bëjmë thirrje çdo force politike, zotit Blushi, PDIU-së. Nuk ka zgjidhje tjetër. Kjo është thirrje. Rama të largohet, ti ribëjnë llogaritë.