Transmetuar më 19-02-2017, 20:37

Partia Demokratike nuk do të marrë pjesë në punimet e Parlamentit duke nisur nga dita e nesërme, si në komisione ashtu dhe në seancat plenare.

Vendimin e mori Grupi Parlamentar i kësaj partie në mbledhjen e sotme.

Pas kësaj mbledhjeje, deputetët shkuan te çadra e ngritur pranë kryeministrisë dhe Kryesisë së Kuvendit dhe që aty njoftuan vendimin e marrë për të bojkotuar Parlamentin.

Në orët në vazhdim pritet që lideri opozitar Lulzim Basha të marrë mbështetje për bojkot edhe nga partitë e tjera parlamentare pranë saj.

PD vendosi që bojkoti të vazhdojë paralelisht me protestën e nisur dje dhe tha se do të kthehet vetëm nëse ka një zhvillim të lidhur me të.

Vendimi i PD për bojkot vjen ndërsa Parlamenti pritet të trajtojë çështjen delikate të Vettingut që shënon hapin më të rëndësishëm të zbatimit të reformës në drejtësi.

Në këtë mënyrë kriza ka mbërritur jo vetëm në qeveri por edhe në Parlament.

Nëse opozita nuk kthehet në Kuvend deri në fillim të marsit, bëhet e pamundur ngritja e menjëhershme e komisioneve parlamentare që do të verifikojnë kandidaturat për Vettingun dhe më pas votimin e tyre. 

Ligji përcakton përbërje të barabartë të këtyre komisioneve mes mazhorancës dhe opozitës dhe mungesa e njërës palë, në rastin më të mirë, e shtyn të gjithë procesin. 

Ndaj është kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ai që tani duhet të trajtojë krizën e krijuar nga opozita.

Deri në këto momente nuk ka një qëndrim nga LSI, as mbi protestën e PD, as mbi kërkesën për qeveri teknike dhe për bojkotin parlamentar.