Transmetuar më 19-02-2017, 12:50

 Një kamerier shqiptar i është ulur në gjunjë ish-presidentit të SHBA-së,  në shenjë falënderimi. “Më ke shpëtuar jetën!”, ishin fjalët që kamerieri tha, kur  ish-presidenti i Amerikës dhe Zonja e Parë ishin duke darkuar në restorantin  “Sea Fire Grill”, në New York. Derisa ata darkonin, kamerieri–një emigrant shqiptar – i është afruar te tavolina, i është ulur në gjunjë dhe i ka thënë Billit: -“Zotëri, dua t’ju falënderoj! Mos të kishit qenë ju, nuk do të isha gjallë sot”, raporton TMZ.

Kamerieri i tregoi Billit dhe Hillaryt një histori pikëlluese. Ai tregoi se është një emigrant, i cili kur ishte 16 vjeç kishte përjetuar luftën në Kosovë dhe pastaj ka ikur pa e ditur se ku po shkon. Po ashtu, ai i tha ish-Presidentit se si babai i tij dhe anëtarët e tjerë të familjes u torturuan gjatë luftës.

Kamerieri 32-vjeç, i cili në Shtetet e Bashkuara ka arritur në vitin 1999, i tha Clintonit se ushtria e Amerikës, të cilën ky i fundit e ka autorizuar, ka përzënë forcat serbe nga Kosova,  gjë që çoi në paqe dhe mbijetesën e tij.

Sipas TMZ-së, Presidenti Clinton është emocionuar shumë, ndërsa ia ka shtrënguar dorën kamerierit dhe është përlotur.

Kamerieri ndihet i frikësuar duke pasur parasysh klimën aktuale mbi emigracionin në SHBA dhe nuk ka dashur që të publikohet emri ose fotoja e tij, thekson TMZ.

Pjesa më e madhe e stafit të këtij restoranti është nga Shqipëria dhe Clintonët pas darkës kaluan një kohë me ta duke i përshëndetur dorë-më-dorë gjithë stafin. /noa.al