Transmetuar më 18-02-2017, 19:18

Policia gjen një tjetër tenxhere të mbushur me paratë e bankës së grabitur dhe të groposur  në zonën e Bathores në Tiranë. Paraprakisht dyshohet se paratë janë nga grabitja e datës 9 shkurt në aksin Tiranë-Rinas, ku u morën rreth 3.2 milionë dollarë nga një bankë e nivelit të dytë. Mendohet se ato janë të shtetasit Admir (Jetmir) Çerpja i arrestuar nga policia ditën e sotme. Në tenxheren me presion ka euro dhe paund britanik. Informacionet janë ende paraprake dhe nuk ka shumë të dhëna të tjera. Paratë u gjendën vetëm disa orë pas arrestimit të Admir Çerpajt. Ky person ka pasur lidhje gjaku me kreu e bandës, Admir Muratajn dhe si pasojë e  kësaj ka qenë krahu i djathtë i tij. Mësohet se ai ishte arkitekti i gjithë planit kriminal.  Çerpja ndante rolet e të gjithë pjesëtarëve të grupit, se kush do të informonte, kush do të vëzhgonte dhe kush do të realizonte sulmin me armë për të marrë paratë. Gjatë gjithë kohës së përgatitjes së grabitjes, Çerpja  organizonte me detaje rrethanat kur do të realizohej ngjarja, orarin e përshtatshëm, si dhe ndante detyrat për personat që do mbanin nën vëzhgim patrullat më të afërta të Policisë, duke kronometruar të gjitha lëvizjet. Rreth orës 21.00, në fshatin Zalldardhë të Dibrës forcat policore kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e Admir Çerpja. Ky shtetas po afrohej për tu futur në fshatin Zalldardhë në orët e mbrëmjes për të blerë ushqim. /noa.al