Transmetuar më 18-02-2017, 18:45

Marwa është vetëm një vjeçe e gjysmë dhe po lufton me vdekjen që nga 25 shtatori i vitit të shkuar, pasi në sistemin nervor të saj u vunë re dëmtime serioze të shkaktuara nga depërtimi i një bakteri të rrallë.

Për shkak të këtij diagnostikimi vajza e vogël ra në gjendje koma.

Kanë kaluar disa muaj që nga shtatori dhe mjekët në spitalin e Marsejës në Francë e kanë prerë me kohë shpresën se e vogla do të mbijetonte.

Ndaj ata i sugjeruan prindërve të vogëlushes që t’ia heqin prizën për të ikur nga kjo botë, duke vlerësuar dhe faktin se sipas tyre po investohej spitali te një rast i pashpresë për jetën.

Vendimi i prindërve ishte shumë i vështirë. Ata nuk donin ta pranonin që fëmija i tyre nuk mund të jetonte më.

Ndaj përgatitën një tjetër plan. Refuzuan të firmosin për t’i ndërprerë mbajtjen në jetë të voglës në koma dhe organizuan marrjen e 135 mijë firmave në Francë duke detyruar gjykatën që të mos lejojë mjekët të ndërpresin jetën e fëmijës në koma që nga bluzat e bardha u kualifikua si rast i pashpresë.

Marwa sot gjendet ende në spitalin “La Timone” të Marsejës në Francë dhe nëse i hiqen pajisjet që e mbajnë në jetë do të shuhet.

Por gjykata e shtyu me dy muaj detyrimin e spitalit për t’u kujdesur që fëmija të mbahet në jetë përmes aparaturave.

Familja e të voglës beson se gjatë kësaj periudhe vajza do të përmirësohet, do të dalë nga koma dhe do të bëjë një jetë normale.

Mjekët nga ana tjetër thonë se është shumë e vështirë që fëmija të dalë nga koma. Sipas tyre edhe nëse ndodh kjo, fëmija kurrë nuk do të mundet të marrë frymë vetë, pa një aparaturë që e furnizon me oksigjen, nuk do të mund të hajë kurrë vetë dhe as të ecë. 

Por “mrekullia” ndodhi. Në fund të nëntorit që lamë pas, Marwa u zgjua. Ajo doli nga gjendja e komës.

Dhe më pas, ajo nisi të marrë veten. “Kurimi i saj vazhdon, por ne shohim progres çdo ditë dhe kjo na jep shpresë. Kur unë i flas dhe ajo e dëgjon zërin tim, qesh”, tha Mohamed Bouchenafa, babai me origjinë nga Algjeria i Marwa, i cituar nga e përditshmja britanike “The Mirror”.

Ndërsa mjekët vazhdojnë të këmbëngulin në të tyren, prindërit e Marwa thonë se vajza po përmirësohet. Duke shtuar se gjykata e ka shtyrë sërish vendimin për t’ia fikur pajisjet të voglës pas kërkesës së mjekëve që e duan të vdekur pasi e shohin si rast të pashpresë.

Pasditen e së shtunës (18.02), ata postuan në rrjetin social Facebook një video që e shihni më poshtë, ku sugjerojnë se vajza ka nisur të demonstrojë shenja të qarta jete normale.

“Përshëndetje të gjithëve, princesha jonë e vogël Marwa dhe motra e saj binjake janë duke komunikuar së bashku me video nëpërmjet celularit. Ju mund të shikoni që ajo vërtet e ndjek duke e parë dhe ky nuk është thjeshtë një refleks”, shkruajnë prindërit.

Kurse dalin dhe me një tjetër mesazh: “Mjekët në spital duan ta vrasin vajzën tonë, edhe pse gjykata ka vendosur që pajisjet mos fiken. Ata e kanë apeluar vendimin e gjykatës duke kërkuar që vajza jonë të vdesë”, – pohojnë prindërit e tmerruar nga frika se mos mjekët i shuajnë jetën të voglës së tyre.

Por mjekët kanë sjellë dhe një tjetër dyshim të fortë në gjykatë. Ata thonë se përpjekja për ta mbajtur të vogël në jetë po i shkakton dhimbje fëmijës. Sipas mjekëve, Marwa po vuan nga dhimbje të cilat sigurisht nuk janë më të vogla se dhimbjet e prindërve që nuk duan ta humbasin. /noa.al/