Transmetuar më 17-02-2017, 11:16

Të privuar prej vitesh nga shërbimi i transportit urban, tashmë banorët e Linzës dhe zonës së Thesarit kanë mundësi që të udhëtojnë drejt qendrës së Tiranës, pa qenë nevoja të ndryshojnë autobus apo të marrin linja të tjera.

Në vazhdën e inspektimeve në terren të shërbimit të transportit publik në kryeqytet, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj udhëtoi me autobusët e kësaj linje, ku pa nga afër shërbimin e ofruar dhe u njoh me vlerësimin e qytetarëve, ndërsa theksoi se ky është një tjetër premtim i mbajtur.

"Jam shumë i kënaqur me linjën e Porcelanit, është një linjë që vetëm emrin në fakt e ka të Porcelanit, sepse itinerari në fakt është dy herë sa emri i linjës. Pra, itinerari jo vetëm kalon Porcelanin, Kinostudion, shkon deri në Linzë dhe gjithë zonën  e Thesarit, zonën  e Freskut, ku i shërben një lagjeje të re që deri dje trajtohej si një lagje e komunës, e Dajtit fshat. Nga sot e përfitojnë të plotë shërbimin, me abone, dhe më vjen mirë sepse mbajtëm fjalën, ashtu siç premtuam, që autobusin do ta çojmë deri në Linzë dhe gjithë zona nga Teleferiku, te Thesari, Fresku shërbehet tani nga kjo linjë”, bëri të ditur kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Veliaj shtoi se kjo linjë, përveç shtimit të stacioneve dhe zgjatjes së saj, ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm të cilësisë së shërbimit dhe kjo falë shtimit të flotës me mjete të reja, ashtu edhe nëpërmjet shpeshtësisë së lëvizjes.

“Kjo vjen gjithashtu me një shtim 60% të flotës së mjeteve, mjete të reja me shumë pak kilometra, me autobusë që funksionojnë me kondicionim dhe ngrohje. Më vjen mirë që i jemi përgjigjur kërkesës së qytetarëve brenda një kohe jashtëzakonisht të shkurtër për përmirësimet në këtë linjë. Me shtimin e stacioneve, me shtimin e flotës, gjykoj që kemi marrë një vendim të drejtë dhe që po na jep fryte me një numër të konsiderueshëm qytetarësh, që shprehin kënaqësinë me mënyrën se si po performon linja”, tha Veliaj.

Për të rritur edhe më tej cilësinë e shërbimit, por edhe për të respektuar kushtet dhe kërkesat e kontratës nga ana e operatorëve të transportit urban, Veliaj ka kërkuar edhe bashkëpunimin e qytetarëve për të sinjalizuar Bashkinë për çdo vonesë apo çdo problem tjetër që konstatojnë gjatë udhëtimit./b.l/noa.al/