Transmetuar më 16-02-2017, 18:59

Organi i akuzës ka zbuluar se Fatjon Xhyliu dhe Neim Avdulaj kanë qenë kolege në të njëjtën kompani, “Rogat Security”. Sipas deklarimeve rezulton se shtetasi Fatjon Xhyliu, ish-punonjës i kompanisë “Rogat”, ka qenë në punë pranë kësaj kompanie, në kohën e vjedhjes me armë në Dhjetor 2015. Por ai nuk ka qenë në shoqërimin e vlerave monetare. Ky person, nëpërmjet kolegut të tij në atë kohë, Ditjon Memlika, është njohur me shtetasin Neim Avdulaj. Gjithnjë sipas deklarimeve paraprake, ky i fundit u ka kërkuar që të bashkëpunonin në vjedhjen e vlerave monetare që transportoheshin nga kompania “Rogat”. Xhyliu dhe Memlika kanë pranuar ofertën e tij, për të cilën do të paguheshin. Këta dy persona kishin si detyrë që të njoftonin mbi lëvizjen e automjeteve që transportonin paratë. Në bazë të këtij informacioni, disa persona të tjerë, me ndërmjetësinë e Neim Avdulaj, do të realizonin goditjen. Për të realizuar komunikimin, Xhyliu dhe Memlika ishin pajisur me telefona nga Avdulaj. Në datë 03.12.2015, dy punonjësit e “Rogat” në atë kohë, Xhyliu dhe Memlika, kanë njoftuar me sms Avdulajn për lëvizjen e mjete me vlera monetare. Avdulaj, nga ana e tij, dyshohet se ka njoftuar shtetasin A.Ç. Pas këtyre komunikimeve me sms, disa persona të tjerë, kanë realizuar vjedhjen me armë të parave që gjendeshin në mjetet e kompanisë “Rogat”, në zonën e Kasharit, rrugës për në Rinas. Pas realizimit të vjedhjes, sipas deklarimeve, Xhyliu dhe Memlika kanë marrë nga rreth 100 mijë euro secili për dhënien e informacionit./ noa.al