Transmetuar më 16-02-2017, 09:46

Në Tiranë, nisi sot një tjetër përpjekje për të goditur abuzimet e administratës shtetërore me qarqet e biznesit.

Të 15 inspektoriatet e vendit nisën për herë të parë inspektimet online pranë bizneseve të mëdha e të vogla. Drejtuesit besojnë se sistemi i ri e rrit transparencën e dyanshme dhe shmang rryshfetet apo shkelje të tjera.

Inspektorati Qendror nisi sot për herë të parë në Shqipëri inspektimet online, në përpjekje për të ulur abuzimet dhe korrupsionin mes inspektorëve dhe firmave private.

Me sistemin e ri inspektorët do të lënë raportimet e tyre në një rrjet të hapur për këdo palë të interesuar.

Inspektori i Përgjithshëm, Shkëlqim Hajdari, së bashku me inspektorët e shëndetësisë, ushqimit dhe punësimit zbatuan sot praktikat e reja elektronike në një kompani të njohur si biznes i madh.

Krahas kontrolleve rutinë të planifikuara, të cilat kanë natyrë këshilluese, zoti Hajdari thotë se po kryhen edhe shumë kontrolle të befasishme pas çdo sinjalizimi për shkelje, që do të vijë nga çdo drejtim, qytetar, kompani apo punëtor për goditjen e informalitetit dhe rritjen e transparencës mes grupeve të Inspektimit dhe sipërmarrjeve private.

Të 15 Inspektoratet e Shqipërisë të të gjitha fushave kanë së bashku rreth 1500 inspektorë, të ushqimit, punës, shëndetësisë, minierave, mjedisit, barnave etj.

Kjo vlerësohet si një trupë e mjaftueshme për të kryer kontrolle profesionale, ku të dy palët mund të kontrollojnë njëri-tjetrin dhe të shmangin abuzimet.