Transmetuar më 15-02-2017, 11:08

Krahas investimeve madhore në kryeqytet, Bashkia e Tiranës vijon t’i kushtojnë vëmendje të posaçme hapësirave dhe shtimit të këndeve të lojërave për fëmijët. Këndi më i ri i lojërave në Tiranë u përurua nga kryebashkiaku Erion Veliaj.

“Jam shumë mirënjohës për të gjithë ata që kanë kontribuar, për prindërit, për bizneset e zonës, që na ka dhuruar lodrat. Ideja është që këto zona të rrënuara, të papërdorura e të degraduara, me pak investim t’i kthejmë në hapësira për fëmijët e qytetit, që rrisin cilësinë e jetës së tyre. Investime të tilla po i bëjmë jo vetëm në çerdhe, kopshte e shkolla, por edhe pranë komunitetit”, tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës deklaroi se krahas ndërtimit të këndeve të lojërave, do të vijojë edhe përmirësimi i fasadave të pallateve, të cilat do të kthehen në vepra arti, me qëllim për t’i dhënë jetë gjithë zonës përreth.

“Kemi bërë parqe lodrash të mëdhenj si ai te Liqeni, por jo çdo fëmijë mund të largohet nga shtëpia dhe të kalojë disa orë atje. Është më mirë kur këto kënde janë poshtë pallateve. Ndaj, do të vazhdojmë që disa nga fasadat e qytetit t’i kthejmë në piktura për fëmijët, që të ketë më shumë argëtim”, tha ai.

Veliaj garantoi vijimin e investimeve nga ana e Bashkisë për ndërtimin e këndeve të lojërave, jo vetëm brenda zonës urbane, por edhe në zonat rurale. “Plani që kemi këtë vit është që pas këndit të nëntë të lodrave në Tiranë, të vazhdojmë në të gjitha njësitë, përfshirë edhe njësitë rurale.

Duke qenë se në vitin e parë u fokusuam vetëm te Tirana urbane, tani duam të vazhdojmë edhe te Tirana fshat, pasi edhe aty kemi shokë dhe shoqe, fëmijë të mrekullueshëm që meritojnë të kenë edhe ata kënde lodrash”, tha ai./b.l/noa.al/