Transmetuar më 14-02-2017, 12:21

Bashkia e Tiranës vijon inspektimet në linjat e transportit urban, me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimit për qytetarët dhe nxitjen e investimeve për modernizimin flotave të autobusëve nga operatorët privatë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, udhëtoi me linjën Kinostudio-Kombinat, duke u njohur me shërbimin dhe kushtet që ofrojnë autobusët e saj, si dhe me opinionin e qytetarëve përdorues të rregullt të transportit urban. Ai vlerësoi se falë punës dhe kontrollit të vazhdueshëm, kjo linjë ofron tashmë një shërbim dinjitoz për qytetarët.

“E pranoj se kjo është një nga linjat më funksionale në Tiranë, edhe për faktin se ka një proporcion të barabartë mes autobusëve normalë dhe atyre fizarmonikë, çka na ndihmon për fluksin e mëngjesit. Fluksi i orës 07.30-08.00 është një fluks i cili, për qytetin tonë, paraqet një problematikë që mund të zgjidhet vetëm duke shtuar numrin e autobusëve”, tha kryetari Veliaj.

Por, për të ndihmuar lehtësimin e lëvizjes në orët e mëngjesit, ai bëri të ditur se po shikohet mundësia edhe për një koordinim me institucionet e tjera, në mënyrë që jo të gjithë punonjësit të nisin punë në të njëjtin orar.

“Po mendojmë edhe për zgjidhje të tjera, pra si mund që me disa nga institucionet punëdhënëse të koordinojmë oraret, ku jo çdo institucion të fillojë punë në të njëjtin orar. Kjo na jep mundësi që ta sfazojmë pak fluksin e mëngjesit, duke e ndarë në disa fasha orare”, tha Veliaj.

Më tej, Veliaj theksoi se shërbimi i transportit publik në Tiranë po ndryshon dhe për këtë i’u referua sondazhit të para disa ditëve, të kryer në të gjitha linjat e autobusëve me qytetarë të ndryshëm./b.l/noa.al/