Transmetuar më 13-02-2017, 13:12

Në ambientet e shkollës "Fan Noli", Bashkia e Tiranës nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me Ministrinë e Arsimit e Sportit për projektin e ndërtimit të 17 objekteve të reja arsimore në Tiranë, ndërkohë që 3 shkolla janë në proces ndërtimi, duke e çuar në 20 numrin e tyre.

Kreu i Bashkisë deklaroi se për të pasur sukses në arsim, përveç përkushtimit të stafit të mësuesve, është tepër i rëndësishëm edhe krijimi i kushteve të përshtatshme.

 “Infrastruktura nuk është gjithçka, por gjithsesi infrastruktura është diçka. Të ardhurit në një ambient të pastër, të ardhurit në klasa me hapësirë, të ardhurit në një ambient që ka estetikë, të ardhurit në një ambient që ka kushte minimale të dinjitetit njerëzor sigurisht që e bën më të lehtë misionin për të shërbyer në shkollat, në kopshtet dhe në çerdhet tona”, tha ai.

Kryebashkiaku deklaroi se vitin e parë Bashkia e Tiranës u detyrua që të shlyente 60 për qind të borxheve të mëparshme, ndërsa për një vit e gjysmë u mundësia dhe ndërtimi i një sërë çerdheve, kopshteve dhe i këndeve të lojërave për fëmijët.

“Vetëm në një vit e gjysmë arritëm që në një kohë rekord, sigurisht me një bashkëpunim fantastik me sektorin privat, rezultati në fakt në Tiranë ishte fantastik. Ne arritëm që brenda 1 viti e gjysmë të kemi 35 çerdhe, një pjesë të rikonstruktuar nga bashkia, të tjerat me donatorë, kryesisht banka, kompani celulare dhe aktivistë të tjerë të komunitetit që vendosën të ndajnë një pjesë të fitimit të tyre me Bashkinë e Tiranës. 35 çerdhe, 26 kopshte dhe 10 kënde lodrash”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku deklaroi se ky projekt është në një vijë me vizionin e qeverisë për të investuar 1 miliard dollarë në 3 vitet e ardhshme në investime të tilla publike që injektojnë para në ekonomi dhe injektojnë punësim. Veliaj u shpreh se falë këtyre projekteve të nisura në Tiranë, janë punuar mbi 10 mijë qytetarë direkt dhe 20 mijë të tjerë indirekt.

“Vetëm në Bashkinë e Tiranës, në mënyrë direkte në të gjithë këto kantiere janë punësuar mbi 10 mijë njerëz dhe dy vende pune për secilin vend që është hapur në ndërtim. Dhe 20 mijë vende pune mbështetëse nga furnitorë dhe nënkontraktojë. Besoj se është kollaj se çfarë ndodh kur projekte si ky i shkollave apo i banesave të subvencionuara injektojnë në ekonomi respektivisht 60 milionë dhe 40 milionë euro në ekonominë e Tiranës”, tha ai.

Veliaj deklaroi se modeli i zgjedhur për këto shkolla është i duhuri që nuk rëndon financat. “Kemi ndërtuar gjithashtu një model financiar i cili nuk i rëndon financat e bashkisë. Ne do të vazhdojmë të shpenzojmë të njëjtën shumë që kemi për merementimin e shkollave dhe ndërtimin e shkollave të reja, por kësaj here këtë do ta përkthejmë në një pagesë me këste vjetore për ndërtimin e këtyre shkollave të reja të cilat do t’i marrim në përdorim që vitin e parë dhe në dorëzim në 7 vitet e ardhshme”, tha ai./b.l/noa.al/