Transmetuar më 12-02-2017, 08:20

Autoritetet e imigracionit në Shtetet e Bashkuara arrestuan orët e fundit mijëra imigrantë që banonin në Shtetet e Bashkuara.

Ata thanë se emigrantët e arrestuar ishin pa dokumente.

Kapja e emigrantëve erdhi në aksione zinxhir në gjithë vendin, të cilat kanë nisur dhe po vazhdojnë gjatë kësaj jave që po mbyllet.

Zyrtarisht, autoritetet thonë se kjo valë arrestesh të emigrantëve, nuk ka lidhje me urdhrin ekzekutiv të nënshkruar nga Presidenti Donald Trump.

Gillian Christensen, një zëdhënëse e Departamentit të Sigurisë Kombëtare i tha gazetës “Washington Post” se aksionet kishin në shënjestër banorët e paligjshëm që kishin kryer krime, duke vënë në dukje se ishin aksione “rutinë”.

“Po flasim për persona që përbëjnë kërcënim për sigurinë publike apo për integritetin e sistemit të imigracionit”, i tha ajo gazetës.

Këto aksione u kryen në të paktën shtatë shtete në SHA dhe përfshijnë qytete të mëdha si Atlanta, Çikago, Nju Jork, Los Anxheles, si dhe disa zona të Karolinës së Jugut dhe asaj të Veriut.  Por aktivistët pro-emigrantëve deklarojnë se arrestime orët e fundit ka patur edhe në Florida, Kansas, Teksas dhe Virxhinian e Veriut.  Duke folur me gazetarët dje në mbrëmje, një zyrtar i lartë për Los Anxhelesi i Byrosë për Zbatimin e Imigracionit dhe Doganat, tha se rreth 75 për qind e të arrestuarve në atë qytet, kishin të kaluar penale dhe nuk kishin lidhje me urdhrin e zotit Trump.

“Ky operacion që kryem është i njëjtë me operacione të tjera në të kaluarën”, tha David Marin.

Trump ka premtuar se do të riatdhesojë të paktën 3 milionë emigrantë ilegalë që janë përgjegjës për krime dhe për këtë ka urdhëruar Departamentin e Sigurisë së Brendshme që të hartojë listën e këtyre personave. 

Por, nën lupë do të kalojnë edhe ata të akuzuar për krime të vogla, ose thjesht të dyshuar për përfshirje në aktivitete kriminale ose ilegale.

Presidenti Trump lëshoi muajin e kaluar një urdhër ekzekutiv për marrjen e masave për 11 milionë imigrantët që jetojnë në mënyrë të paligjshme në Amerikë.

Ai gjithashtu bëri ndryshime në politikat e ish-Presidentit Barack Obama, sipas së cilave përparësi kishin dëbimet e imigrantëve të paligjshëm me të kaluar kriminale dhe që u jepnin agjentëve një autoritet më të gjerë për të riatdhesuar me forcë ose jo ata që kishin bërë shkelje të vogla, ose asnjë shkelje.