Transmetuar më 11-02-2017, 15:05

Tiranë, NOA.al- Qarkullimi i masave ajrore nga Europa Lindore do të bëjë që sërish vendi ynë të jetë nën ndikimin e motit të kthjellët por të ftohtë. Në zonat malore përgjatë kufirit Lindor herë pas here do të ketë kalime vranësirash të lehta.

Po ashtu edhe pasditja do të vijojë me mot kryesisht të kthjellët në të gjithë ultësirën perëndimore duke lënë me kthjellime dhe vranësira të shpeshta zonat verilindore- juglindore. Ky stabilitet i atmosferës do të na shoqërojë edhe gjatë orëve të natës.

Sipas MeteoAlb, temperaturat e ajrit nuk do të pësojnë ndryshime duke ruajtur të njëjtat vlera të tyre konstante. Era do të vijojë të fryjë e lehtë në tokë dhe në det me shpejtësi 20 km/h nga drejtimi kryesisht Lindor, kjo do të bëjë që në brigjet detare të gjenerohet dallgëzim 1 ballë.

Europa

Europa do të mbetet nën ndikimin e masave ajrore të qëndrueshme që vijnë nga kontinenti duke bërë që moti i kthjellët të jetë dominues në pjesën më të madhe të tij por temperaturat do të jenë relativisht të ulëta. Parashikohet që temperatura më të ulëta të shënohen në gadishullin Skandinav. Po ashtu moti i kthjellët por i ftohtë do të mbetet dominant edhe në vendet e Ballkanit por herë pas here do të shfaqen vranësira të lehta e kalimtare. Ndërsa me vranësira, rrebeshe shiu si edhe stuhi të forta ere do të paraqitet moti për gadishullin Iberik. Ndërsa reshje të dendura dëbore do të ketë për vendet e Europës Lindore./a.y/noa.al