Transmetuar më 10-02-2017, 18:53

Tirana është sot një qytet disa herë më i pastër se një vit e gjysmë më parë, por për Bashkinë e Tiranës ka ende shumë për t’u bërë, duke nisur nga ndërgjegjësimi i qytetarëve për të mos ndotur mjedisin.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë në analizën vjetore të Ndërmarrjes së Punëtorëve të Qytetit Nr.1, ku vlerësoi punën e bërë, sidomos sa i takon pastrimit dhe lirimit të hapësirave publike. Ai deklaroi se 99% e qytetarëve mbështesin dhe respektojnë rregullat për mbajtjen pastër të mjedisit, ndërsa vetëm 1% refuzon që t’i zbatojë ato.

“Fakti që Tirana është rritur dhe qytetin duhet ta ndajmë me 1 milionë njerëz, na bën të kuptojmë se duhet t’i forcojmë më shumë rregullat. Ndaj nuk do të hezitojmë të pastrojmë, por edhe të gjobisim e të kërkojmë llogari nga secili që e ndot qytetin”, u shpreh ai.

Veliaj deklaroi se në bashkëpunim edhe me administratorët e pallateve, do të bëhet i mundur vënia para përgjegjësisë i atyre të cilët dëmtojnë hapësirat e përbashkëta. Ai theksoi se ndryshe nga vitet e mëparshme, ku qyteti ishte i mbuluar nga plehrat, është bërë një punë kolosale për rikthimin e higjienës dhe besimit të qytetarëve.

Por, krahas punës së përditshme me pastrimin e qytetit në mënyrë kapilare, Veliaj theksoi se Bashkia e Tiranës do të vijojë edhe me masat sensibilizuese dhe parandaluese të ndotjes në qytet.

“Vetëm dje kemi vendosur 268 gjoba për individë, për të treguar se qëllimi nuk është të mbushim arkën me gjoba, por për t’i dhënë një leksion se në Tiranë nuk e tolerojmë këtë. E dini që dje po numëronim 1000 goma që lihen nëpër rrugët e Tiranës? Vërtet armiku na e ka fajin për këtë? Ne “pushtohemi” nga gomat e plehrat përditë, që i hedhim vetë”, theksoi Veliaj.

Kreu i Bashkisë deklaroi se askush nuk do të tolerohet kur dëmton apo ndot qytetin. Ai shtoi se deri më sot, krahas rritjes së përgjegjshmërisë në punë, në gjithë Tiranën janë bërë një sërë investimesh që krijojnë lehtësira për çdo qytetar për të respektuar ambientin e përbashkët.

“Sot në Tiranë kemi vendosur 4000 kosha në total, kazanë të mëdhenj e të vegjël. Kur ishin koshat e hapur, disa njerëz thoshin, kështu të hapur, vijnë, tani që i kemi të mbyllur me valvul, thonë se valvula është shumë e ngushtë, mezi futet brenda; e zgjeruam prapë valvulën që të jetë me kollajtë”, shtoi Veliaj./b.l/noa.al/