Transmetuar më 09-02-2017, 21:57

Armando Sadiku ka aplikuar për shtetësinë bullgare. Lajmi vjen nga mediat zvicerane të cilat kanë kontaktuar me sulmuesin shqiptar duke mësuar nga heroi kuqezi i Euro 2016 këtë hap të rëndësishëm të cilin ai po e ndërmerr për karrierën e tij.

“Është e vërtetë”, tha ai për “Blick”, i pyetur nëse po synonte të merrte shtetësinë bullgare. “Gjyshërit e mi kanë pasaporta bullgare ndaj edhe unë kam kërkuar për një të tillë”, shkruan panorama sport.

Për të bërë një gjë të tillë, futbollisti ka braktisur për dy ditë stërvitjen me Luganon, për të udhëtuar drejt Sofjes. Në kryeqytetin e Bullgarisë ai ka plotësuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për raste të tilla në Zyrën e Natyralizimeve.

Dyshtetësia pritet ta ndihmojë sulmuesin në karrierën e tij. Meqë me shtetësinë bullgare ai do të ishte një “komunitar”, do ta kishte më të thjeshtë të gjente një ekip në një kampionat shumë më cilësor se ai zviceran. “Anglia dhe Italia më tërheqin”, pranoi futbollisti.

E megjithatë, kjo nuk do të thotë se Sadiku do të harrojë Shqipërinë. “Padyshim që jo. Është krenaria ime më e madhe fakti që mund të vesh fanellën e Shqipërisë dhe të përfaqësoj vendin tim. Do të jap maksimumin si gjithmonë për të, më shumë se 100%”, tha ai.