Transmetuar më 07-02-2017, 18:13

Prishtinë, 7 shkurt 2017, NOA.al- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot në një takim të përbashkët kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe Kryeministrin Isa Mustafa.

Në këtë takim u bisedua për vazhdimin e koordinimit të përbashkët për jetësimin e detyrimeve ndërkombëtare që Kosova është zotuar t’i realizojë.

Në kuadër të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore, ata ranë dakord që të vazhdohet me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të përmbyllet demarkacioni me Malin e Zi dhe të punohet për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës.

Këto hapa, përveçse do të mundësojnë përmbylljen e integrimit të plotë të komunitetit serb në institucionet e Kosovës, do t’i hapin rrugë edhe liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, por edhe konsolidimit të mëtejshëm të shtetësisë dhe sovranitetit të shtetit të Kosovës.