Transmetuar më 06-02-2017, 11:43

Tiranë, 6 shkurt 2017, NOA.al- Kryeministri Edi Rama, thotë se kundërshtarët e reformës në sektorin energjetik nga të katërta anët vunë kujën, që të falen kamatëvonesat, por sipas tij, nëse do ishin falur kamatëvonesat, që në momentin e parë reforma do kishte dështuar.

Kjo pasi Kryeministri nënvizoi se nuk do kishte përputhje me lehtësimin dhe korrektesën ndaj shtetit. 

Ai tha më tej se konsumatorët që kanë nënshkruar marrëveshjen dhe i përgjigjen kompanisë dhe kompania do t;u përgjigjet, duke u lehtësuar barrën.

“Nëse ne do të kishim falur kamatëvonesat që në momentin e parë, reforma do të kishte dështuar dhe ne do të kishim dështuar në një nga aspektet më të rëndësishme të projektit tonë për të bërë shtet. Sot ne kemi 453 mijë konsumatorë që kanë aktmarrëveshje me shtetin dhe që janë në një marrëdhënie reciprociteti me kompaninë. Konsumatorët i përgjigjen kompanisë sipas detyrimeve të tyre dhe kompania ua kthen dhe do tua kthejë duke ua lehtësuar barrën e të shkuarës që është barë e përbashkët, është dhe barra e një pushteti që kupton se ato para të papaguara vinin dhe si rezultat i mungesës së shtetit”, u shpreh Rama.

Duke folur sot në një takim me përfituesit e skemave lehtësuese të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për abonentët në nevojë, ndihmë ekonomike, pensionistë, invalidë etj., shtoi se nëse do numërohen plagët e shtetit shqiptar, ka shumë për të kuruar, duke thënë se barra e një mungese shteti dhe një qeverie që u shkelte syrin njerëzve dhe u thoshte mos i paguani, dhe që e dërrmuan dhe kalbën shtetin shqiptar.

Për Ramën, nuk mund të kërkohet që një qeveri në 3 vjet e pak, natën ta bëjë ditë për probleme të mbartura në 20 e kusur vite.

Ai shtoi se lehtësimi do vazhdojë, duke shprehur sigurinë se do lehtësohet më tutje, siç tha ai, pasi mundësitë do jenë më të mëdha. Në këtë drejtim deklaroi se sa më shumë seriozë të jenë qytetarët me shtetin, aq më shumë shteti do jetë socialë me ta.

Kryeministri tha se leximi i faturave mbetet problem, por se heqja e faturës afrofe shënoi sukses.

Sipas tij, ende sistemi nuk është i plotë, duke thënë se është i interesuar vazhdimisht për përmirësimin e sistemit, duke informuar se në Tiranë ka nisur leximi kompjuterik faturave.

Rama tha se ky proces është i lidhur me regjistrimin e popullsisë dhe se në mbi 20 vjet nuk u numëruan shqiptarët, dhe se i çohet fatura dikujt i cili nuk është aty.

Kryeministri deklaroi se do bëhet një mesatare e shpenzimit të energjisë dhe leximi i faturave do bëhet katër herë në vit dhe në bazë të leximit do ketë balancim.

Në këtë drejtim sqaroi se në rast se është shpenzuar më shumë do shtohet në faturën e ardhshme dhe nëse është harxhuar më pak do ulet në faturën e ardhshme./a.y/noa.al