Dy ekskavatorë kanë nisur rrëzimin e murit të ndërtuar në mënyrë të paligjshme në Mitrovicë.
Gjendja e sigurisë gjatë mëngjesit të së dielës ka qenë e qetë dhe nuk ka pasur të dhëna për prishje të qetësisë dhe rendit publik.
Zyrtari për informim i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, tha se aktualisht gjendja e sigurisë në përgjithësi është e qëndrueshme.
Në vend, shihen forca të shtuara të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, si dhe një numër i madh i mediave.
Marrëveshja për shembjen e tij u arrit pas një raundi të vështirë negociatash në Bruksel, edhe pse asnjëra palë nuk pranoi të deklarohej.
Muri i ndërtuar në pjesën veriore të Urës mbi lumin Ibër, ka ngritur tensionet mes Prishtinës dhe Beogradit, ndërsa për rrënimin e tij Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë.