Transmetuar më 05-02-2017, 11:25

Kur Dritëro Agolli interpretonte poezinë e tij të famshme “Kur të jesh mërzitur shumë”

Në këtë video shihni shkrimtarin e njohur shqiptar, Dritëro Agolli teksa interpreton një ndër poezitë e tij më popullore.

Ja dhe teksti i plotë i saj që interpretohet edhe nga autori:

Kur të Jesh Mërzitur Shumë

Këtu s’do të jem, do jem larguar;  Nën tokë i tretur si të tjerët,  Në kafenenë e preferuar  Nuk do më shohin kamarierët.

Dhe nëpër udhët ku kam ecur,  S’do ndihet kolla ime e thatë,  Mbi varrin tim do të rrijë i heshtur  Një qiparis si murg i ngratë.

Ti do trishtohesh atëherë,  Se s’do më kesh në dhomë të gjallë,  Dhe, kur në xham të fryje erë,  Do qash me erën dalëngadalë.

Po kur të jesh mërzitur shumë.  Në raft të librave kërkomë,  Atje i fshehur do të jem unë,  Në ndonjë varg a ndonjë shkronjë

Mjafton që librin pak ta heqësh  Dhe unë do zbres, do vij pas teje;  Ti si dikur me mall do qeshësh,  Si një blerim pas një rrëkeje.