Transmetuar më 31-01-2017, 20:00

Kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras foli sot nga Beogradi mbi marrëdhëniet e vendit të tij me fqinjët, duke u ndalur te Shqipëria, Maqedonia dhe Turqia.

Tsipras tha se ishte shumë i shqetësuar për tonet nacionaliste, intolerancën dhe “irredentizmin” siç u shpreh ai që konstaton në këto vende.

Pohimet e z.Tsipras u bënë gjatë një konference për shtyp me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiç, në Beograd, ku ndodhet për një vizitë zyrtare.

Kryeministri grek foli edhe për Kosovën. Ai tha se paqja dhe stabiliteti në rajon arrihen duke siguruar “një zgjidhje të pranueshme për çështjen e Kosovës”. Ai tha se Athina zyrtare do të mbetet në të njëjtat qëndrime të mëparshme lidhur me Kosovën.

Kurse menjëherë më pas, lëshoi një mesazh për Ballkanin në tërësi.

“E ardhmja e Ballkanit mund të ndërtohet vetëm mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare, të respektit të ndërsjellë, dialogut dhe bashkëpunimit. Jo me shkelje, jo me ndërhyrje, as me provokime, por duke u mbështetur në traktatet ndërkombëtare”.

Nga Serbia, Alexis Tsipras iu referua në mënyrë të veçantë atyre që i cilësoi shpërthime nacionaliste dhe zëra irredentiste e intolerante në Ballkan, duke vlerësuar se të tillë zëra vijnë veçanërisht nga Shqipëria dhe Turqia.

“Vetëm mbi bazën e respektit të ndërsjellë mund të ndërtojmë marrëdhënie të shëndosha bilaterale”, – tha në mesazhin e tij për Shqipërinë, Maqedoninë dhe Turqinë, kryeministri grek Aleksis Cipras duke shtuar: “Fenomene të së kaluarës nuk ndihmojnë në këtë drejtim”.

“E ardhmja e Ballkanit nuk mund të jetë këmbëngulja në një mënyrë të atillë që në të kaluarën i ka kushtuar shumë kombeve tona”, – ishte mesazhi i fundit i z.Tsipras lidhur me Ballkanin. /a.b/noa.al/

Vijon…