Transmetuar më 30-01-2017, 13:47

Manjani kritikoi qeverinë dhe u shkarkua, a do ta largojë Rama edhe Kokën?

Redaksionale NOA

Kryeministri Edi Rama firmosi një urdhër për shkarkimin e ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani dhe i kërkoi Presidentit të pranojë lirimin nga detyra dhe emërimin në vend të Manjanit, të ish ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili.

Vendimi i publikuar në faqen zyrtare të Kryeministrisë nuk jep asnjë argument zyrtar mbi arsyet e shkarkimit.

Vetë Rama nuk bëri asnjë koment mbi vendimin e tij.

Kurse Manjani ishte sot në daljen e tij përmediat, i mbushur me akuza shtesë për kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

Ministri tashmë i shkarkuar, tha se vendimi ishte rrjedhojë e kritikave të tij në media për dukurinë e kultivimit të marijuanës në të gjithë vendin.

Një akuzë që u artikulua edhe ditë më parë në intervista televizive.

Akuzë e cila bashkë me acarime të tjera në raportin Rama-Manjani bëri që i pari të vendosë shkarkimin e të dytit.

Por ky zhvillim vjen vetëm pak ditë pasi sërish në media, një tjetër ministër i kabinetit “Rama” dhe sërish nga LSI, ai i Mjedisit, Lefter Koka, lëshoi “lumë” akuzash për trafikun e drogës që gëlon në vend.

Koka përmendi pa fund fakte që sipas tij evidentojnë se Policia e Shtetit, ministria e Brendshme dhe drejtues të saj janë të përfshirë në trafikun e drogës.

Koka ishte edhe më rrënqethës në akuzat e tij. Ai tha se policia shkon deri aty sa siguron lëvizjen e vrasësve duke marrë masa paraprake për kryerjen pa telashe arratie të krimeve të rënda.

Edhe Koka e vuri gishtin te Saimir Tahiri si përgjegjës për situatën në polici dhe alarmoi se strukturat që drejton ky ministër, njëkohësisht kryetar i PS për Tiranën po përgatisin manipulimin e zgjedhjeve të qershorit.  

Një tjetër akuzë e rëndë, e cila pasoi sot “bombën” tjetër nga Manjani, i cili citoi partnerët ndërkombëtarë të kenë kërkuar shkarkimin e Saimir Tahirit.

Në këtë pikë, lind pyetja? A do ta shkarkojë Rama edhe Kokën ashtu si veproi me Manjanin?

Ndërsa pyetja tjetër, është a do të pranojë kryeministri kërkesën e ndërkombëtarëve (gjithnjë sipas pohimit të Manjanit) që të shkarkojë edhe Tahirin, duke e djegur atë si kartë e rëndësishme politike e PS? Kjo pyetje ndoshta nuk ka nevojë për përgjigje, nëse i referohemi arsyes që Manjani tha se çoi në daljen e tij prej qeverisë, denoncimi i tij publik, për kultivimin e drogës me përfshirje policore.