Transmetuar më 29-01-2017, 16:57
Publicitet

Pak para mesnatës duke nisur e hëna, kohë kur skadoi edhe afati i mandatarit Nikolla Gruevski për dorëzimin në parlament të përbërjes qeveritare dhe programit qeveritar, Bashkim Demokratik për Integrim tha se nuk ka vendosur për përfshirje në qeverinë e re.

Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, tha se edhe ditët në vijim do të vazhdojnë këshillimet rreth formimit të qeverisë së re.

Kryetari i VMRO-DPMNE nuk mund të arrijë shumicën e nevojshme në parlament, prej 61 deputetësh për formimin e qeverisë, pa BDI-në e Ali Ahmetit.

VMRO-ja, deri sot ka mbajtur qëndrimin zyrtar se nuk pranon dygjuhësinë në të gjithë territorin e vendit, pra krahas maqedonishtes edhe ngritjen e gjuhës shqipe si gjuhë e dytë zyrtare dhe as vazhdimin e mandatit të Prokurorisë së posaçme, të cilën e vlerëson si përçarëse, të politizuar e në shërbim të Lidhjes Social Demokrate.

Këto, ndërkaq, janë kërkesat kryesore të BDI-së dhe të partive shqiptare.

Më herët mediat maqedonae raportuan vazhdimisht gjatë të dielës se vendi pritet që të bëhet me qeverinë e saj të re pasi ishte arritur një marrëveshje mes VMRO-DPMNE dhe BDI-së.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevskim sikurse u raportua, i kishte pranuar kushtet e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe të plaftormës shqiptare.