Transmetuar më 26-01-2017, 19:03

Parlamenti grek ka thirrur mbledhje urgjente për çështjen e rekrutëve me origjinë shqiptare në ushtrinë greke, që pozuan me simbolin e shqiponjës.

Nënkryetari i partisë më të madhe opozitare “Nea Demokracia”, Adonis Georgiadis ka kërkuar interpelance me tre ministra, në lidhje me këtë çështje duke thirrur krerët e dikastereve të Mbrojtjes, të Drejtësisë dhe të Drejtave të Njeriut.

Në letrën e tij zyrtari i lartë i opozitës greke, shpreh hapur shqetësimin se prapa gjesteve të rekrutëve shqiptarë fshihet një lëvizje e mirëorganizuar nacionaliste që sipas tij tenton të cënojë rendin dhe sigurinë në Greqi, shkruan “news24”.

“Gjesti i ushtarëve të rinj, publikuar në foto me duart e tyre që formonin shqiponjën shqiptare me dy koka është një praktikë që ne si shtet duhet të na detyrojë të investigojmë më thellë, në kërkim të strukturave paralele brenda shtetit.

Trajtimi i përkorë dhe i matur i kësaj çështjeje është i domosdoshëm dhe ministritë duhet të hetojnë nëse fenomeni është nxitur nga forca të organizuara, të cilat tejkalojnë ‘mburojat’ nacionaliste dhe përpiqen të cënojnë sigurinë tonë dhe integritetin tonë territorial”,  shkruan numri dy i “Nea Demokracia”-s.