Transmetuar më 24-01-2017, 19:08

Bashkia e Tiranës shpërndau sot bursat për 2.228 nxënësit më të mirë të të gjitha shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazet e Tiranës për vitin shkollor 2015-2016. kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, tha se ky është një tjetër premtim i mbajtur dhe finalizim i një prej nismave të para të ndërmarra nga Bashkia e Tiranës për të promovuar dhe mbështetur ata që do të jenë nesër drejtuesit e vërtetë të kryeqytetit.

“Duke investuar tek ata që janë me të gjitha 10-a në mësime, besoj se mund të bëjmë shumë më shumë gjëra për qytetin, se sa kur nuk i inkurajojmë ata. Kjo është arsyeja pse kemi marrë vendime si rikthimi i bursës së ekselencës, jo për të kënaqur ata që shpifin dhe bërtasin, por për të investuar për gjeneratën tjetër”, nënvizoi Veliaj.

Ai shtoi se duke mbështetur arsimimin e brezit të ri dhe sidomos të atyre që kanë treguar vullnet për të shkëlqyer në mësime, mbështetet edhe e ardhmja e sigurtë e Tiranës dhe e brezit të ardhshëm.

“Në fillim, shumë nga kolegët më thoshin se Tiranën e kemi gjetur me shumë probleme, prandaj nuk mund të japim para për nxënësit që dalin me 10-a sepse kemi shumë asfalt për të bërë, pemë për të mbjellë, puseta për të vënë kapakë, trotuare për të ndërtuar, shkolla për të vënë kaldajat. Megjithatë, si një familje që pavarësisht se çfarë vështirësish ka, asnjëherë nuk harron të investojë tek arsimi i fëmijëve të vet, besoj se edhe Bashkia jonë është si një familje e mirë. Ndaj, bëmë gjënë e duhur duke investuar për të shpërblyer ata që janë me të gjitha 10-a në Tiranë”, tha kryebashkiaku.

Ai shprehu mirënjohje në mënyrë të veçantë për gjithë mësuesit e Tiranës, të cilët falë mundit dhe pasionit të tyre edukojnë brezin e ri. “Një falenderim të veçantë për ato zonja dhe zotërinj që çohen çdo mëngjes, përgatitin mësimin, vijnë dhe pavarësisht çfarë hallesh kanë në shtëpitë e tyre, në orën 8 të mëngjesit janë aty që t’u ofrojnë dashuri, dije, për nxënësit. Vetëm mësuesit e Tiranës mund të projektojnë Tiranën e nesërme”, u shpreh Veliaj.

Veliaj shtoi se falë investimeve të Bashkisë së Tiranës po ndërtohet qyteti që do i shërbejë gjeneratës tjetër. Ndaj, ai kërkoi ndihmën e të rinjve për të mbështetur dhe për t’u bërë pjesë e çdo nisme të Bashkisë së Tiranës që e bënë qytetin më të mirë.

Duke e cilësuar si shumë të rëndësishme që kryeqyteti të jetë i hapur ndaj të tjerëve, Veliaj theksoi se Tirana është qyteti i mundësive për çdo djalë e çdo vajzë. Kryetari i Bashkisë u bëri apel të rinjve që të luftojnë fenomenet negative të shoqërisë, sikurse është diskriminimi i të tjerëve. Ai theksoi se Tirana është një qytet i gatshëm për të mikpritur këdo dhe për të respektuar të drejtat e secilit./b.l/noa.al/