Transmetuar më 24-01-2017, 12:43

Sot zyrtarisht u mbyll programi tre vjeçar i bashkëpunimit të qeverisë shqiptare me Fondin e Monitorimit Ndërkombëtar (FMN), por ky nuk është fundi i marrëveshjes. FMN do të vijojë të ruajë një rol monitorues këshillues deri pas zgjedhjeve të qershorit në Shqipëri, ndërsa ministri i Financave, Arben Ahmetaj theksoi se marrëveshja e radhës me FMN do të realizohet në të ardhmen.

“Sigurisht që sot mbyllim një program, por jo bashkëpunimin tonë me FMN. Fondi mbetet një partner i rëndësishëm për Shqipërinë, një mbështetje dhe ndihmesë edhe për qeverinë shqiptare, me ekspertizën që kanë sjellë dhe konsulencën e tyre veçanërisht në aspektin e administrimit të taksave dhe menaxhimin e financave publike, dhe do të vazhdojnë të mbeten të tillë edhe pas përfundimit të programit aktual.

Programi ynë me FMN ka arritur të gjithë objektivat e tij për korrektimin e disbalancave makroekonomike, që askush nga s’duhet t’i harrojë në mënyrë që të mos përsëriten më, duke mundësuar kthimin e trendit ekonomik dhe rritjen e qëndrueshme të ekonomisë, pa cënuar, përkundrazi, përforcuar stabilitetin fiskal.

Gjatë këtyre viteve programi me FMN ka qenë një nxitës i rëndësishëm për të gjithë programin qeveritar dhe sidomos për reformat në fushën e financave publike, të cilat ishin dhe vazhdojnë të jenë tejet të rëndësishme si për aspiratat integruese të vendit, ashtu edhe për modelin tonë të rritjes ekonomike”, u shpreh Ahmetaj.

Nga ana e saj në mbyllje të marrëveshjes trevjeçare me Shqipërinë, Fondi Monetar Ndërkombëtar e quajti atë një rast suksesi.

“Programi ka qenë i suksesshëm dhe jam e lumtur të theksoj se ai i ka arritur objektivat kyç duke e vendosur Shqipërinë në rrugën e financave publike të shëndosha dhe rimëkëmbjes ekonomike. Ne vlerësojmë se rritja ekonomike ishte 3.4 përqind vitin e kaluar dhe do të vazhdojë të forcohet në 4 përqind në afatmesëm”, thotë FMN./b.l/noa.al/