Transmetuar më 24-01-2017, 09:00

Shëndeti i shkrimtarit Dritëro Agolli prej disa kohësh është rënduar së tepërmi. Vajza e shkrimtarit Elona Agolli, e cila ndodhet në Londër, përballë gjendjes së rënduar të të atit, ka bërë një postim prekës në Facebook.

“Unë jam me pjellën time tani, në një botë krejt ndryshe nga e jona, në një botë ku konsumohet e gëzohet; e ndërsa ti, i përhumbur mendon sesi do të jetë ajo botë e përtejme, ku mbizotëron errësira, ajo çka vështirë për ty si ateist, të mendohet e bukur dhe shpresëdhënëse”, shkruan ajo.

Postimi i plotë i Elona Agollit

Babushi im më ndje; e di që ti në këtë orë lufton me errësirën, pasi ti e urren atë. Ti pret dritën. Unë jam me pjellën time tani, në një botë krejt ndryshe nga e jona, në një botë ku konsumohet e gëzohet; e ndërsa ti, i përhumbur mendon sesi do të jetë ajo botë e përtejme, ku mbizotëron errësira, ajo çka vështirë për ty si ateist, të mendohet e bukur dhe shpresëdhënëse.

Ati im më ndje; unë jam me Luelin e duhet të jem e gëzuar në sytë e tij, paçka se zemra pikon lotë, paçka se mendjen e kam tek ti.

Të dua shumë ati im. Nëse do të mund të dhurohej jeta, unë do ta jepja për ty; nëse do të mund të transferohej gëzimi, unë do të bëja çmos të të lumturoja. Sot të bleva një shishe bojë e një pompë për stilografin tënd.

Siç ma dhe porosinë para se të nisesha. Kur të kthehem, do të t’i tregoj dhe e di që do kënaqesh. Do mbushësh penën tënde, që aq ka gërvishtur letrën e aq vargje e radhë ka shkruar. Të dua shumë Ati im”./a.y/noa.al