Transmetuar më 24-01-2017, 07:29

Deputeti Alfred Peza e quan të sajuar politikisht gjithë historinë që qarkullon në media në lidhje me pasurinë e tij.

Duke folur në ‘Top Story’, ai la të kuptohej se sulmi e ka burimin nga Partia Demokratike për të tërhequr vëmendjen nga hetimi i CEZ-it.

“Këto ditë ka një zhurmë të madhe të madhe përsëri me miliona, siç është hetimi për CEZ-in, ku një i afërm i Qeverisë Berisha ka tërhequr kesh para nga një bankë 7 milion euro”, tha ai.

Këtë sulm, ai e quajti “reciprocitet politik”.

“Ka një reciprocitet politik në sulmin tim. Reciprociteti ishte hajde të shpikim një histori paralele në anën e mazhorancës që bën fjalë po për miliona dhe njerëz politikë dhe u gjet historia e Alfred Pezës”, tha ai, duke shtuar se shkrimi fillestar për pasurinë e tij jep me qëllim disa pasaktësi.

Peza shtoi se 1/3 e pasurisë së tij e ka të vënë nga interesat bankare.

“331 milionë fitime nga interesat në historinë time 15-vjeçare në një bankë. 1/3 e pasurisë time që përflitet, ka ardhur vetëm nga interesat bankare duke depozituar kohë pas kohe. Janë të gjithë kurimet e mia familjare.  Normat e interesit kanë qenë të larta. Unë kam 100 milionë lekë vetëm në 20 muajt e fundit të karrierës sime në media. Përveç kësaj, media ka mënyra të ndryshme të ardhurash ka rrogë bazë, ka honoraret, bonuset dhe përqindje reklamash”, u shpreh ai.

Deputeti socialist shtoi se e gjithë kjo histori nuk e ka bërë që të pendohet se përse iu fut politikës.

“Nuk pendohem kurrë për vendimet që marr. Nuk jam bërë pishman për asgjë. Unë raportin e kam me të vëertetën”, tha Peza.

Ai për sulmin thotë se është angazhuar gjithë familja e ish-Kryeministri Berisha, ndërsa shton se nisjen e hetimeve e mirëpret.

“E kam pritur me qetësinë më të madhe lajmin për nisjen e hetimeve. Në këtë histori u investua familjarisht familja e Sali Berishës, në një ditë tre statuse nga Sali Berisha, dhëndërri dhe djali i tij”, deklaroi ai.

Po përse vendosi të investojë këto para në 1 përqind aksione bankare?

“Unë jam shumë i fokusuar tek puna dhe më thith gjithë energjitë e mia fokusi ku vendosem dhe jam tip që mendoj që një njeri duhet të japë 100 përqindëshin e vet. Kam qenë i paaftë që të bëja njëkohësisht 2-3 punë dhe këto para t’i shndërroja në prona, dyqane, vila dhe në momentin e futjes në aksione ka qenë kur interesat e bankës shkuan deri në minus dhe të kesh 1 milionë dollarë kesh dhe në fund të marrësh më pak?! Pikërisht këtu ishte momenti kur thashë se pse këto para të mos i çoj në një biznes shumë të nderuar dhe le të jenë aty në aksione duke patur parasysh që vlera e tyre rritet”, tha ai. 

Nga ana tjetër, Peza u pyet edhe për të vërtetën e deklarimit të pagesës prej 80 mijë lekë të reja gjatë kohës që punonte te “Ora News”. “Sa i takon pagesës prej 80 mijë lekë të reja në ‘Ora News’, është bërë një proces gjyqësor për t’u riparë kontributi që detyrohesha për ish-familjen time. Në atë kohë m’u kërkua një vërtetim page nga gjykata. Këtë gjë e ka thënë edhe ish-bashkëshortja ime. Ishte një vërtetim page i para 6 viteve. Kjo është sqaruar. Në atë kohë rroga aq ishte por pagesa jo sepse pagesa nuk është vetëm paga, por ka përqindje nga reklamat, honorare, bonuse, etj. ”, tha Peza.

I pyetur nëse në të gjithë këtë histori mund të ketë bërë “faull” dhe çështja e tij mund të përfundojë me një hetim për evazion fiskal, Peza e përjashtoi një mundësi të tillë.

Peza u rikthye sërish në argumentin e pretenduar të një sulmi politik ndaj tij nga opozita duke shtuar se “është i së njëjtës teknologji sesi opozita e sotme targeton personat. Unë e dija se para se të hyja në politikë se do gërmohej për punën time në media. Për divorcin, s’kam pse t’i jap llogari. Ajo u përdor kaq keq, kaq ndyrë. Këtë gjë bëri PD-ja dhe me Edi Ramën. Kur u bë ai kryetar bashkie, çfarë s’u thanë, që akuzoi babain për atësinë e djalit, etj. Dhe historia ime e para disa viteve u përdor tani. Ajo lidhje u ndërpre në maj të vitit 1997. Këtë vit, në gusht ne me bashkëshorten aktuale festojmë 20 vjetorin bashkë”, pohoi ai.

Po ashtu, Peza në një rrëfim të hapur, theksoi se dy fëmijët nga martesa e tij e dytë nuk ishin në dijeni se ai kishte pasur një tjetër histori personale dhe se ishte divorcuar vite më parë. Peza tha se vajza e tij e mësoi historinë e divorcit përmes kronikave dhe flash-eve në TV. Kurse djali përmes talljeve të shokëve të tij.

“Kam vajzën dhe djalin 15-16 vjeç. Kjo që ndodhi është një monstruozitet. Ia kanë bërë Ramës, Ruçit, Arta Dades, Ballës. Kush i del përpara PD-së. Përdorin çdo lloj sulmi nga A tek Zh-ja. Përdhosin deri tek kujtimet. E nuk kanë lidhje me angazhimin tim politik, i kanë ndodhur të gjithë brezit tonë, kush më shumë e kush më pak. Falenderoj të gjithë ata shqiptarët e heshtur, që s’mu vërsulën. Por ajo është historia ime. E vuaj unë. E mirë apo e keqe, është historia ime. Mendoja se fëmijët e mi kur të rriteshin dhe pak, do ta kuptonin se jeta ka edhe divorce, bashkime e ndarje. Do ishte më e lehtë. Djali vjen një ditë nga shkolla, bashkëshortja ime është e fortë. ‘Ma, ai filani X-i, është budalla fare, më tha: “Si të la babi pa bukë’. Mirela nuk duroi dot. Morëm djalin dhe dolëm për drekë dhe ia treguam. Pritëm dhe vajzën, por ajo nuk erdhi. Ajo kishte qenë në mencë me shoqet, bënin selfie. Kur pa titrat e një TV-je: ‘Ish-bashkëshortja e Alfred Pezës shkon në prokurori’. Ajo preket. Shoqet i thonë çfarë ke, u thotë ‘më dhemb dhëmballa’. Kur vjen në shtëpi ia tregojmë. Politika duhet ta kishte kursyer këtë histori ndaj fëmijëve të mi”, – tha Peza.