Transmetuar më 23-01-2017, 11:14

Durrës, 23 janar 2017, NOA.al- Kryeministri Edi Rama, lajmëron se duke nisur nga muaji shkurt recetat do jenë elektronike dhe jo më me dorë.

Ai tha se recetat elektronike nisin në shkurt dhe se brenda pranverës nuk do ketë më receta me dorë.

Duke folur ditën e sotme nga qyteti i Durrësit nga aktiviteti “Mbulimi universal, barna me rimbursim edhe për 600 mijë të pasiguruar”, ai tha se në çdo spital kanë nisur të ndihen ndryshimet.

Në vijim tha se ryshfeti është ende pjesë e shëndetësisë, por se po zmbrapset hap pas hapi.

Kryeministri deklaroi se shumë shpejt do të transformohet urgjenca, duke thënë se nëpërmjet trajnimeve dhe pajisjeve do ketë ndryshim rrënjësor.

“Sot kemi një kantier reformash tërësore dhe masa për të mbështetur këto reforma. Falë këtyre, jemi në kushtet t’u themi njerëzve me krenari se kemi ulur në mënyrë të ndjeshme shpenzimet për shëndetin. E dimë qartë se si duhen bërë gjërat më tej. 600 mijë shqiptarë të pasiguruar do të marrin ilaçet e rimbursueshme. Qytetarët po bëhen të gjithë të barabartë në aksesin për shërbimin shëndetësor”, u shpreh Rama.

Ai tha se tani mjeku i familjes është falas dhe tarifat e shërbimit janë simbolike.

Sipas tij, shëndetësia është sektori më i paragjykuar, pasi lidhet me jetën e njerëzve, por një gjë është e sigurtë tha ai, ata që marrin sot shërbimin shëndetësor janë më pozitiv sesa ata që fatmirësisht, nuk kanë shkuar nëpër spitale, pasi nuk kanë pasur nevojë./a.y/noa.al