Transmetuar më 23-01-2017, 08:29

Athinë, 23 janar 2017, NOA.al- Shtatë të rinj shqiptarë, pjesë e repartit të këmbësorisë në ushtrinë greke, rrezikojnë t’a pësojnë rëndë për shkak se të veshur me uniformë u fotografuan duke bërë simbolin e shqiponjës me duar.

Të rinjtë, pjesë e ushtrisë greke në Mesoliogji, u fotografuan brenda ambienteve të repartit, ndërsa fotoja u publikua të premten.

Pas mësimit të këtij fakti, krerët e ushtrisë greke, kanë urdhëruar nisjen e një hetimi. Ndërkohë për shkak të këtij veprimi patriotik të të rinjve shqiptarë, eproorët e tyre rrezikojnë postin si dhe shqiptarët një dënim të ashpër.

Në pak orë autoritetet greke identifikuan shtatë ushtarët me origjinë shqiptare dhe shtetësi greke, të cilët u morën në pyetje.

Duke dyshuar se mund te cenohet siguria kombëtare, të rinjve u janë bërë kontrolle të imtësishme dhe në telefonat e tyre celularë, duke kryer verifikimet e rastit.

Mësohet se të rinjtë do të bënin betimin e tyre në 2 shkurt dhe do të shërbenin në ushtrinë greke për nëntë muajt e ardhshëm dhe se ata kanë marrë shtetësinë greke në saj të ligjit që ua mundëson këtë për shkak të përfundimit të studimeve në shkollat greke.

Ndërkohë ministri grek i Mbrojtjes Panos Kamenos, i njohur për qëndrimet e tij nacionaliste, nuk është shprehur ende lidhur me këtë rast, për shkak të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mori pjesë në betimin e Presidentit të ri, Donald Trump./a.y/noa.al