Transmetuar më 23-01-2017, 07:39

Ka shumë për të thënë, ose për të reflektuar për atë që nuk kanë thënë e nuk kanë bërë. “Puna e tyre”, mund të thotë dikush. Jo, nuk është ashtu sepse populli ende nuk i ka ndëshkuar këta njerëz që pasi kalojnë lumin të dh… kalin.

Nga Patrik Sadikaj

Për të hedhur këto pak fjalë në letër (Facebook në fakt) mu dush të mendohesha pak. Më ndalonte frika se mos i harxhoj kot fjalët. Pse do thoni ju?! Po iu them arsyen: përditë e më shumë politika po i zapton hapësirat e lirisë qofshin këto edhe të medias. Politikanët nuk dëgjojnë më as këshilla, as analiza por as mendime nga gazetarët. Ata e bëjnë vetë çdo gjë dhe nuk duan të shijojnë asgjë nga kazani ynë siç thotë kryeministri. E në këto analiza që ata bëjnë në foltore, rrjete sociale dhe studio televizive nuk bëjnë asgjë tjetër veç retorikave boshe që përsëriten sa vijnë ditët elektorale. Asnjë prej tyre nuk është ulur të shkruajë apo të flasë për atë çfarë ka bërë e s’ka bërë në këto 3 vjet meqë jemi në mbyllje të mandatit kuvendor. Edhe ata deputetë që në Kuvend se kanë hapur kurrë gojën, këto ditë janë gati të kafshojnë kundërshtarët politikë për të garantuar një vend për mandatin e ardhshëm duke i kënaqur dëshirat kryetarit që gjithashtu i është kthyer premtimeve të zgjedhjeve të shkuara. Por asnjë prej tyre nuk lodhet të thotë se pse nuk u mbajt asnjë premtim? Pse nuk u duken njëherë te zonat e tyre për të parë a jetojnë ata që u dhanë votën? A morën ndonjëherë ndonjë nismë në Kuvend apo qeveri për të ndihmuar zgjedhësit e tyre? A e përmirësuan me punën e tyre zonën ku nuk shkelin më për 4 vjet me radhë? Mbase po kërkoj shumë, por të paktën në 4 vjet të kishin thënë një fjali të vetme për njerëzit që nuk kanë rrugë, ujë apo shtëpi për të futur kokën. Ose për ata që nuk kanë bukë t’u shtrojnë fëmijëve të tyre se nuk kanë punë të marrin një rrogë.

Ka shumë për të thënë, ose për të reflektuar për atë që nuk kanë thënë e nuk kanë bërë. “Puna e tyre”, mund të thotë dikush. Jo, nuk është ashtu sepse populli ende nuk i ka ndëshkuar këta njerëz që pasi kalojnë lumin të dh… kalin. Nuk e di se cilën fytyrë do përdorin tani që duhet të kthehen tek populli për t’u vjedhur prapë votën?! Mbase atë të mashtrimit. Prandaj ata sot e bëjnë vetë analizën që duhet ta bëjmë ne. Të japin llogari një më një për atë që nuk kanë bërë, më shumë për atë që e kanë bërë keq në kurriz të këtij populli. Por ata se bëjnë dhe s’kanë për ta bërë. Oferta e tyre për popullin është akuza per kundërshtarin, premtimet boshe për pranga e ndëshkime. Asgjë nuk bëjmë. Fare.

Ata nuk punojnë për popullin, vetëm e gënjejnë atë dhe ne bashkë me ta ju servirim gënjeshtrat e gatuara në zyra partish. Do vijë shpejt qershori dhe populli do fillojë të përtypë këtë gjellë të gatuar pa shije dhe do ta vjellë për 4 vitet e tjera që do pasojnë. E kemi bërë gjithmonë këtë gjë, por është koha që të mos ushqehemi më me premtime boshe. Të mendojmë për dhimbjen e barkut e të vjellën para se të hamë. Ky popull nuk e meriton mashtrimin. Politika ka nevojë për një mësim të mirë dhe këtë e ka në dorë vetëm qytetari me votën e tij. Në Kuvend duhet të shkojnë më të mirët, ata që e duan popullin e tyre dhe punojnë për të. Nëse nuk i ofrojnë më të mirët kryetarët e partive, vendosuni një kryq në listën e tyre.