Transmetuar më 22-01-2017, 22:26

Zyra Federale për Sigurimet Shoqërore (BSV) thotë se në Zvicër kërkohet punësimi gjatë periudhës në vazhdim, i të paktën 134 mijë punonjësve të rinj.

Kjo fuqi punëtore shtesë do të duhet të plotësohet nga viti që nisi dhe deri në vitin 2030.

Numri më i madh i punonjësve që kërkohen, janë për të moshuarit. BSV thotë se në shtëpitë e të moshuarve brenda 15 vjetëve do të punojnë mbi 140 mijë të punësuar me orar të plotë.

Po ashtu kërkohen dhe femra dhe meshkuj për t’u përkujdesur për personat me aftësi të kufizuara.

Këto punë, nuk preferohen nga pjesa më e madhe e zviceranëve që kanë nevojë për punë, në kushtet kur dihet se Zvicra është ndër vendet me nivelin më të lartë të mirëqenies për frymë në rang botëror.

Në këto kushte, Zyra Federale për Sigurimet Shoqërore pohon se alternativë e vetme për të zënë këto vende pune janë emigrantët.

BSV pranon se që tani, azilet, shtëpitë e përkujdesjes për shtresa të ndryshme të shoqërisë si dhe institucionet e tjera sociale kanë vështirësi në gjetjen e stafit të përshtatshëm dhe të kualifikuar.

Për më tepër ka mungesa edhe për personelet në sistemin parashkollor, çerdhe dhe kopshte, skurse raporton gazeta qendrore zvicerane, Sonntagszeitung,

Konferenca e Drejtorëve të Enteve Sociale (SODK) thotë se është duke u përpjekur të përfshijë emigrantët në procesin e punësimit në këto sektorë ku ka mungesa që pritet të bëhen edhe më të mëdha në vitet në vazhdim. 

SODK thotë se do të kujdeset që të trajnohen emigrantët që janë të disponueshëm për të punuar në sektorët e përkujdesit për fëmijët, të moshuarit dhe ata me aftësi të kufizuara fizike dhe mendore.

Personat që janë të interesuar mund të gjejnë kontaktet për të kërkuar më shumë informacion, në faqen zyrtare të BSV që e gjeni këtu, (italisht e gjeni këtu), si dhe tek faqja zyrtare e SODK që e gjeni këtu. /noa.al/