Transmetuar më 22-01-2017, 18:25

Njësitë e ROAN të Guardia di Finanza të Pulias kanë ndaluar një skaf që po tentonte të trafikonte një sasi të konsiderueshme droge drejt vendit fqinj.

Policia e Shtetit në Tiranë tha pasditen e së dielës, se kapja është kryer pas aktivizimit prej 24 orësh të sinjaleve të alarmit nga pala shqiptare.

Policia italiane me anë të njësive operative të Guardia di Finanza në Durrës e Vlorë dhe atyre të Pulias u vu në gatishmëri dhe pas identifikimit të mjetit lundrues janë vënë në ndjekje me mjetet e tyre detare të shpejta për ndalimin e skafit të kundraligjshëm dhe kapjen e trafikantëve.

Pas disa orë ndjekjeje, u arrit të kapej skafi me 1350 kg kanabis në bord në afërsi të Barit dhe të arrestohen 2 trafikantët shqiptarë.

Ata janë G.I., 24 vjeç dhe B.K. 52 vjeç.

Autoritet e të dy policive vijojnë hetimet për të zbuluar të implikuar të tjerë në trafik dhe lidhjet me dy mjetet lundruese të ndaluara në bregdetin shqiptar me skafistët italianë.