Transmetuar më 22-01-2017, 08:14

Ministria e Financave publikon listën me 365 ish-të përndjekur politikë, kategoria parësore që nuk kanë marrë ende këstet 4, 5 dhe 6. Individët e kategorisë parësore, që gjejnë emrin në listë duhet të dorëzojnë dokumentacionet (certifikatë personale + numër i përditësuar i llogarisë bankare) e domosdoshme për procesimin e kësteve të prapambetura, respektivisht këstet 4, 5 dhe 6.

Përfituesit 

Në listën e përfituesve janë ish-të dënuarit politikë që nuk jetojnë dhe që kanë trashëgimtarë të radhës së parë, të cilët janë në moshë të mitur me hyrjen në fuqi të këtij ligji; ish-të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe që kanë moshë nën 75 vjeç me hyrjen në fuqi të këtij ligji, shkruan Gazeta Shqiptare.

Përfituesit e këstit të shtatë janë ish-të dënuarat politike gra, që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës; ish-të dënuarit politikë, që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe që kanë moshën mbi 75 vjeç me hyrjen në fuqi të këtij ligji; ish-të dënuarit politikë, të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda, sipas përcaktimit të aktit nënligjor të posaçëm; ish-të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës, të cilët pavarësisht nga mosha, kanë pasardhës të radhës së parë në moshë të mitur me hyrjen në fuqi të këtij ligji dhe ish-të dënuarit politikë që nuk jetojnë dhe që kanë trashëgimtarë të radhës së parë, të cilët janë në moshë të mitur me hyrjen në fuqi të këtij ligji.

Gjashtë kategoritë

I. Për kategorinë e parë parësore, ish-të dënuarat politike gra, që jetojnë; për kategorinë e dytë parësore, ish-të dënuarit politikë, që jetojnë dhe janë mbi 75 vjeç me hyrjen në fuqi të këtij ligji; për kategorinë e gjashtë parësore, ish-të dënuarit politikë që jetojnë, të cilët kanë moshë nën 75 vjeç me hyrjen në fuqi të këtij ligji.

II. Për kategorinë e tretë parësore, ish-të dënuarit politikë, të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda.

III. Për kategorinë e katërt parësore, ish-të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës, të cilët pavarësisht nga mosha, kanë pasardhës të radhës së parë në moshë të mitur, me hyrjen në fuqi të këtij ligji.

IV. Për kategorinë e pestë parësore, ish-të dënuarit politikë që nuk jetojnë dhe që kanë trashëgimtarë të radhës së parë, të cilët janë në moshë të mitur.

V. Kur ish-i dënuari politik që jeton ose trashëgimtari ligjor humbet zotësinë juridike për të vepruar, me vendim gjykate i është përcaktuar kujdestari ligjor, në këto raste veprimet nga Ministria e Financave bëhen në emër të personit me këtë të drejtë.

VI. Ish-të dënuarit politikë që jetojnë ose trashëgimtari ligjor kanë të drejtë ta delegojnë me prokurë të posaçme, tërheqjen e dëmshpërblimit financiar. Në këto raste, veprimet nga Ministria e Financave kryhen në emër të personit me këtë të drejtë.