Transmetuar më 21-01-2017, 19:10

Replikë me shkrimin “Media online në shënjestër” të Luçiano Boçit

Nga Milena Harito

Lexova sot një artikull në gazetën “Panorama” nga deputeti Boçi, në të cilin si zakonisht akuzohet qeveria për një censurë potenciale ndaj medias online. Deri këtu, asgjë origjinale. Herë me një gojë, herë një tjetër, herë në shqip, herë në gjuhë të huaja, në këto muaj opozita ka gjetur një mëz beteje (i vogli i kalit), të ashtuquajturën censurë të mediave. Madje, as nuk do të vlente përgjigjja, sepse pakkush në botën e “Facebook”/”Twitter”-it beson në një censurë hipotetike të medias. Por këtë herë deputeti i nderuar Boçi ka lidhur çështjen e sigurisë së botës dixhitale me të ashtuquajturën censurë të portaleve dhe këtu ja vlen të ndalemi.

Artikulli në mënyrë flagrante, ndonëse dëshiroj të besoj se është bërë jo me dashakeqësi, ngatërron dy çështje krejtësisht të ndryshme dhe pa lidhje me njëra-tjetrën, duke i paraqitur ato në formën e një komploti të mirorganizuar të qeverisë ndaj fjalës së lirë.

Të quash “sektor të parëndësishëm” sigurinë kibernetike, në një realitet global si ky i viteve që jetojmë, është jo vetëm për të ardhur keq, por është fyese ndaj gjithsecilit që përjeton këtë realitet çdo ditë e më shumë dixhital.

Dhe, ndoshta, pikërisht prej këtij moskuptimi të realitetit buron edhe shqetësimi i pavend i opozitës, i shprehur përmes deputetit të nderuar Boçi, për reformat e thella që ka marrë dhe po ndërmerr përditë qeveria për zhvillimin dixhital dhe veçanërisht për sigurinë kibernetike.

Megjithëse e mirëkuptoj shqetësimin e opozitës, sepse tek e fundit ajo ka pikërisht detyrën të kundërshtojë veprimtarinë e qeverisë, nuk mund të ndaj me përfaqësuesit e saj të njëjtën padije apo mosinformim, e aq më pak mund të lejoj që publikut t’i serviren të pavërteta thelbësore.

Buxheti i agjencive të Inovacionit për vitin 2017 është argumentuar në dritën e diellit dhe për pasojë asnjë paragraf nuk ka qenë i fshehur, apo në skuta imagjinare.

Agjencia Kombëtare për Sigurinë Kompjuterike (ALCIRT) ka ngritur tashmë një portal për denoncimin e faqeve të internetit me përmbajtje të paligjshme. Rregullorja e funksionimit të këtij portali është e qartë në mungesën totale të të drejtave të ALCIRT për të vendosur, apo edhe thjesht shqyrtuar, përmbajtjet e paligjshme. Këtë rregullore çdo qytetar mund ta gjejë të publikuar në faqen e ALCIRT. Do të doja të besoja që deputeti Boçi e ka lexuar këtë rregullore.

Portali i ngritur tashmë nga ALCIRT nuk bën gjë tjetër veçse publikon listën e uebfaqeve që kanë përmbajtje të paligjshme, apo ushtrojnë aktivitet të paligjshëm sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Lista me këto website furnizohet nga institucione të ndryshme, të cilat kanë nxjerrë paraprakisht një akt administrativ sipas ligjeve sektoriale dhe u vihet në dispozicion ofruesve të Internetit ISP. Lista është publike për transparencë dhe njohje të qytetarëve.

Ndërkohë që përcaktimi i kategorive të përmbajtjeve të paligjshme online, nuk është as në kompetencën e ministres së Inovacionit dhe as në kompetencën e Kryeministrit.

Përmbajtjet e paligjshme janë të përcaktuara në legjislacionin për krimin kibernetik, pjesë e Kodit Penal, derivuar nga ratifikimi që Shqipëria i ka bërë Konventës së Budapestit për krimin kibernetik të KE, që prej 15 vjetësh tashmë.

Në përmbajtjet e paligjshme Kodit Penal rendit:

• Neni 74/a: Shpërndarja kompjuterike e materialeve pro gjenocidit ose krimeve kundër njerëzimit;

• Neni 84/a: Kanosja me motive racizmi dhe ksenofobie nëpërmjet sistemit kompjuterik;

• Neni 117: Pornografia;

• Neni 119/a: Shpërndarja e materialeve raciste ose ksenofobie nëpërmjet sistemit kompjuterik;

• Neni 119/b: Fyerja me motive racizmi ose ksenofobie nëpërmjet sistemit kompjuterik.

paligjshme, përkundrazi jemi aq skrupolozë me këtë portal saqë faqet e listuara janë vetëm tri dhe publike në internet për të gjithë ata që konsultojnë portalin online.

Nga ana tjetër, ligji “Për tregtinë elektronike” i ndryshuar i ka përcaktuar detyrimet për ofruesit e shërbimeve të shoqërisë së informacionit në fuqi që në vitin 2009, kur ai është miratuar. Ligji në fuqi u kërkon ofruesve të shërbimeve të informacionit në rolin e tyre si ndërmjetës për përmbajtjet e palëve të treta që veprojnë menjëherë për të hequr, ose çaktivizuar aksesin në informacion e paligjshëm me marrjen e informacionit për të.

Amendimet e iniciuara për ndryshimin e këtij ligji në vitin 2016 synojnë përmirësime për rritjen e zbatueshmërisë së ligjit, duke nxitur praktikat e vetërregullimit që, edhe pse ligji në fuqi i parashikon, rezultojnë jo të zhvilluara në praktikë. Këto amendime nuk janë të domosdoshme por saktësuese, sepse ligji është në fuqi. Ecuria e tyre do të bëhet në përputhje të plotë me praktikat e BE-së.

Në gjykimin tim është e papranueshme të mos tregohet kujdes nga cilido dhe veçanërisht nga deputeti Boçi, si anëtar i komisionit të arsimit dhe medias, për mbrojtjen e fëmijëve dhe minorenëve nga përmbajtje e papërshtatshme dhe të ndaluara me ligj për ta. Të gjithë aktorët duhet të kontribuojnë për rritjen e ndërgjegjësimit për këtë, si dhe të kontribuojnë në rritjen e zbatueshmërisë të legjislacionit në fuqi.

Për këdo që do ta shohë të vërtetën, ka vetëm një të tillë: Qeveria dhe agjencitë e Inovacionit po ecin me një ritëm shumë të shpejtë për të kapur trendin e kohës, ku shoqëria e informacionit dhe zhvillimet dixhitale përmirësohen me minuta.

Zhurmat për censurë, apo më keq akoma për komplote ndaj medias së lirë, janë tymnaja të kota. Çdo shqiptar e ka të qartë se koha kur medias i mbyllej goja me metoda të paligjshme të pamoralshme, madje edhe të dhunshme, kanë mbaruar për fatin tonë të mirë.

Media online në shënjestër

Nga Luçiano Boçi

Në buxhetin e fundit të këtij viti, midis shumë sektorëve “të parëndësishëm” që marrin lekë më shumë se u takon, ishte dhe një paragraf, i fshehur si pa dashje, i cili i jep “një dorë të mirë” lekësh ALCIRT-it, për një përdorim ekskluziv. Fondi i akorduar orientohet të përdoret për “Ngritjen e portalit për bllokimin e faqeve të internetit me përmbajtje të paligjshme” me kod të degës së thesarit 3535 dhe kod të projektit M030051. Për ato që nuk e dinë, ALCIRT është Agjencia Kombëtare e Sigurisë Kompjuterike me varësi të drejtpërdrejtë të Kryeministrit.

E krijuar në 2011, ajo ka një mision të qartë: “identifikimin, parashikimin dhe marrjen e masave për mbrojtjen ndaj kërcënimeve/sulmeve kompjuterike, në përputhje me legjislacionin në fuqi”. Kështu shkruhet dhe sot në faqen ueb të Ministrisë së Inovacionit. Krahasimisht me agjencitë simotra kudo në botë, ALCIRT-i nuk mund ta kapërcejë këtë mision. Por, në korrik të 2014, kabineti Rama i shton asaj me VKM dhe një funksion tjetër, disi të çuditshëm në raport me misionin që duhet të përmbushë, “era” e të cilit do të shpërthejë pak më vonë, kur Ministria e Inovacionit do të hedhë idenë e ndryshimeve ligjore për ligjin “Për tregtinë elektronike”.

Sipas kësaj VKM-je, ALCIRT “Ngre, administron dhe mirëmban portalin online që do t’u shërbejë personave juridikë, publikë dhe privatë, për të publikuar adresat e faqeve të internetit me përmbajtje të paligjshme në përputhje me përcaktimet e kuadrit ligjor që rregullon veprimtarinë e tyre, si dhe ofruesve të shërbimit të aksesit në internet (ISP-ve) për marrjen e informacionit me qëllim mbylljen e aksesit në këto faqe sipas legjislacionit në fuqi.” Ky vendim e nxirrte ALCIRT-in tërësisht jashtë funksionit dhe qëllimit për të cilin ishte krijuar.

Pas kësaj VKM-je, ALCIRT-i pajiset me një rregullore ekskluzive për këtë objektiv të shtuar nga Rama, në dhjetor 2015. Kjo vetëm një muaj pasi Kryeministri humbi betejën publike për kriminalizimin e shpifjes ndaj zyrtarëve të lartë të tij. Rregullorja, nga mënyra se si është hartuar, i jep kompetencë të plotë Agjencisë, të ndërhyjë arbitrarisht si autonome në marrjen e vendimeve, për mbylljen e faqeve të caktuara që shpërndajnë informacione me përmbajtje të paligjshme.

Faqe interneti me përmbajtje të paligjshme sipas rregullores së miratuar, janë dhe ato faqe që kanë përmbajtje shpifëse apo ofenduese, krahas të tjerave. Në raste të marrjes së ankimimeve për këto përmbajtje dhe të tjera, ALCIRT-i detyron ISP-të ofruese të shërbimit të internetit në vend t’i bllokojnë këto faqe. Atë që Rama nuk e futi dot nga dera, e realizoi kështu nga dritarja. Pas kësaj rregulloreje, për të qenë më në rregull sipas dhe strategjisë së mirëmenduar, qeveria hedh në treg propozimet për ndryshimet në ligjin “Për tregtinë elektronike”.

Brenda kësaj pakete ndryshimesh, qartësisht qeveria siguronte kontrollin, censurën, mbylljen e portaleve online kur t’ia donte qejfi, me ndihmën dhe funksionit të shtuar të ALCIRT-it. Pas revoltës së fortë të mediave online, qeveria e stopoi sjelljen e ligjit në Parlament, por pa u tërhequr nga pozicioni i saj. Dështimi nuk e bëri të dorëzohej. Përkundrazi. Pas mësymjes së medias tradicionale, diku me interesa e diku duke i mbyllur e duke i shantazhuar dhe pas pokerit me lëvizjen e gazetarëve “të pabindur” nga mediat me pronarë të “bindur”, Rama kërkon të mbyllë përfundimisht dhe gojën e portaleve online.

Sidomos luftën e ka me disa prej tyre, shumë të klikuara, që e bezdisin fort me të vërtetat dhe lajmet e kritikat objektive që lançojnë. Përpos propozimit Balla, që me shumë gjasa nuk mund të kalojë pas kundërshtimit të fortë të opozitës dhe të ekspertëve ndërkombëtarë, Ramës i duhet më së fundmi një “modus operandi” efikase për të rrëzuar atë që ai e konsideron si murin pengues, si pjesë të “mediave të kazanit”, portalet armike online, me qëllim që rehatshëm të bëjë një fushatë personale elektorale mashtrimi dhe të suksesshme.

Dhe As-i nën mëngë duket se është pikërisht ALCIRT-i, me ndryshimin e bërë me dorën e vet që në 2014, nëpërmjet VKM-së së famshme. Madje, pa pasur fare nevojë për ndërhyrje të tjera ligjore zhurmëmëdha. I mungonin në këtë rast vetëm paratë për ta vënë gjithçka në lëvizje. Këtë e realizon pikërisht tani, me buxhetin e 2017-s, në një periudhë zhurmash të mëdha, kur edhe vëmendja është më e vogël, kur ai që mund të goditet nuk ka se ku e gjen të vërtetën dhe ku të tjerët mund të vrapojnë pas qerres së qeverisë “si lepuri në pyll meqë kuajt do të tridhen”.

Këtu ka pak vend për iluzion, sepse një test Rama e ka provuar si model, megjithëse jo me ALCIRT, me sulmin me anë të partnerit të tij mediatik, ndaj një media opozitare online. Për kujtesë, shkaku ishte tërësisht qesharak. U mbyll vetëm për “një foto”. Financimi dhe vënia në veprim e këtij funksioni të ALCIRT, e ngritjes së një portali kryeministror, për të filluar gjuetinë e shtrigave ndaj portaleve mediatike, para fushatës dhe pas tentativave të disata të dështuara, nuk ka se si të shpjegohet ndryshe, përveçse me nisjes e luftës ndaj tyre.

Në çdo rast mbyllja portaleve nga portali i Ramës do të jetë tërësisht në kundërshtim në ligjin, sepse nuk do të realizohet mbi bazën e një vendimi gjyqësor, por vetëm me vullnetin e një Agjencie jokompetente, e cila varet drejtpërdrejt nga Kryeministri. Për ta krahasuar arbitraritetin që mund të prodhohet, po sjell vetëm një rast: Departamenti i Drejtësisë në SHBA, dhe aspak Agjencia e Sigurisë Kompjuterike, siç kërkohet të ndodhë te ne, vetëm pas disa vitesh dhe pas një vendimi gjyqësor për pronarin e Kikasstorrent, arritën të mbyllë këtë faqe që piratonte mijëra programe, produksione me përmbajtje dhe të ndaluar, pra të jashtëligjshme.

Për më tepër, faqja u rikrijua përsëri dhe qarkullon me emër të ngjashëm. Kjo në SHBA, në vendin më të survejuar e të siguruar kibernetikisht. Por mos të harrojmë. Jemi nën pushtetin e Ramës, në pyllin ku gomari është shpallur mbret dhe ka dëshirë të tredhë jo vetëm “kuajt”, por të gjitha mediat.