Transmetuar më 20-01-2017, 19:50

Ditën e fundit në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Obama mori për herë të fundit kohë për t’iu drejtuar amerikanëve. Në një letër që ia dërgoi listës së adresave të email-it të Shtëpisë së Bardhë, të enjten në mëngjes, presidenti  falënderoi  këdo për mbështetjen dhe për gjithçka që i mësuan gjatë këtyre tetë viteve. Rezultati është pa diskutim emocionues, veçanërisht për njerëzit që do u mungojë ai, bashkë me Michelle-n, Sasha-n dhe Malia-n në Shtëpinë e Bardhë.

Ja teksti i letrës

Miqtë e mi amerikanë,

Është një traditë e gjatë për presidentin aktual të lërë një letër në Zyrën Ovale për të zgjedhurin amerikan që do t’i zërë vendin. Është një letër ku duhet të ndajmë çfarë dimë, çfarë kemi mësuar dhe cilat përvoja mund ta ndihmojnë pasuesin të mbartë përgjegjësinë e madhe që vjen prej zyrës më të lartë të vendit tonë dhe drejtimit të botës së lirë. Por para se të lë shënimet e mia për presidentin e 45-të, do doja t’ju falënderoja për nderin që shërbeva si i 44-i juaj.

Sepse gjithçka që kam mësuar në zyrën time e kam mësuar prej jush. Ju më bëtë një president më të mirë, ju më bëtë një njeri më të mirë. Përgjatë këtyre tetë viteve, ju keni qenë burimi i mirësisë, energjisë për t’u ringritur dhe shpresës nga të cilat unë kam marrë fuqi. Unë kam parë fqinj dhe komunitete që kujdeseshin për njëri-tjetrin gjatë krizës më të keqe ekonomike të jetëve tona. Unë kam vajtuar me familjet në zi që kërkonin përgjigje dhe kam gjetur hir në një kishë të Charleston-it.

Kam marrë zemër nga shpresa e të diplomuarëve dhe oficerët e sapoemëruar të ushtrisë. Kam parë shkencëtarët tanë të ndihmojnë një burrë të paralizuar të rifitojë ndjesinë e të prekurit dhe luftëtarët e plagosur të konsideruar të pashpresë, të ecin sërish. Kam parë amerikanët, jetët e të cilëve janë shpëtuar sepse ata kanë pasur më në fund akses në kujdesin mjekësor dhe familje, jeta e të cilave ka ndryshuar për shkak se martesat e tyre janë njohur njëlloj si tonat. Kam parë fëmijët fare të vegjël të na kujtojnë me veprimet dhe bujarinë e tyre, detyrimet tona për t’u kujdesur për refugjatët, apo për të punuar për paqen dhe për t’u kujdesur për njëri tjetrin.

Ju kam parë ju, popullin amerikan, në gjithë dinjitetin tuaj, vendosmërinë, humorin e mirë dhe mirësinë. Dhe në veprimet e përditshme të qytetarisë, kam parë shpalosjen e së ardhmes sonë. Të gjithë ne, pak rëndësi ka të cilës parti, duhet ta përfshijmë veten në këtë punë, në punën e gëzueshme të qytetarisë. Jo vetëm kur ka zgjedhje, jo vetëm kur interesi ynë i ngushtë vihet në diskutim, por gjatë gjithë harkut të jetës.

Unë do të jem atje me ju në çdo hap të kësaj rruge. Dhe kur harku i progresit do të duket i ngadaltë, kini parasysh: Amerika nuk është projekti i një personi. Fjala e vetme e fuqishme në demokracinë tonë është fjala "Ne." "Ne populli." "Ne do ta kalojmë. Po, ne mundemi".

Kjo letër përcjell mesazhe të forta njerëzore edhe nëse njerëzve nuk iu intereson politika, sepse edhe Obama-s duket se në këtë çast nuk i intereson shumë.