Transmetuar më 20-01-2017, 15:06

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë përmes një videomesazhi, ka zgjedhur të urojë Presidentin Donald Trump, në kuadër të ceremonisë së inaugurimit të tij. Në videon e postuar në rrjetet sociale, i gjithë stafi i ambasadës së SHBA në Tiranë, me në krye ambasadorin Donald Lu, ka shprehur në gjuhën shqipe urimin e tyre për ardhjen e Trump në krye të SHBA-ve.

Në fjalën e tij, ambasadori Lu, falenderon së pari të gjithë shqiptarët që kanë shprehur urimet e tyre për ardhjen e Trump në krye të Presidencës amerikane. Lu thekson se në këto 25 vite është dëshmuar për lidhjen e fortë të amerikanëve dhe shqiptarëve, ndërsa shton se kjo marrëdhënie do të vijojë edhe më tej.

“Ne falenderojmë shqiptarët që kanë mirëpritur ngrohtësisht ardhjen e Trump dhe Zonjës së Parë në krye të SHBA-ve. Për më shumë se 25 vjet, dhe gjatë qeverive të ndryshme, në Uashington dhe në Tiranë, ka qenë gjithmonë e vërtetë se shqiptarët dhe amerikanët kanë një lidhje të fortë dhe të thellë mes tyre. Pres me kënaqësi që kjo marrëdhënie e jashtëzakonshme, të vazhdojë gjatë Presidencës Trump”, shprehet ambasadori Lu./b.l/noa.al/